KDI-ja: Kuvendi i Kosovës nuk duhet të krijojë shpenzime të panevojshme
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar për shpenzimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës për tremujorin e parë të këtij vitit.
Sipas këtij instituti, Kuvendi i Kosovës duhet të tregoj kujdes të shtuar në menaxhimin e parasë publike dhe të mos krijoj shpenzime të panevojshme.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të angazhohen maksimalisht në përmbushjen e funksioneve parësore të Kuvendit, duke përfaqësuar denjësisht qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe duke garantuar mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit. Shpenzimet e panevojshme nga ana e Kuvendit do të ndikojnë negativisht në perceptimin e punës së Kuvendit nga ana e qytetarëve dhe mund të krijoj imazh negativ për deputetët dhe punën e tyre”, është thënë në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).
Reagimi i plotë i KDI-së:
Kuvendi i Kosovës sapo ka publikuar raportin financiar për shpenzimet e Kuvendit për tre muajt e parë të vitit 2018. Në bazë të këtij raporti, të cilin Kuvendi e ka miratuar në korrik të këtij viti por që është bërë publik tani, shpenzimet për këtë tre mujor në krahasim me tre mujorin e parë të kësaj legjislature (tetor – dhjetor 2017) janë rritur për 20,933.28 euro ose shprehur në përqindje 53%.
Për vetëm tre muajt e parë të vitit 2018 (janar – mars) nga 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, 50 prej tyre kanë realizuar udhëtime zyrtare jashtë vendit. Në total, deputetët për këtë periudhë kohore kanë realizuar 74 udhëtime jashtë vendit të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 60,380.28 euro.
Pjesa më e madhe e buxhetit është shpenzuar për mëditje dhe akomodim: 21,205.91 euro për mëditje respektivisht 19,239.9 euro për akomodim. Ndërkaq, 18,558.47 euro janë shpenzuar për bileta të udhëtimit në vendet që janë vizituar nga deputetët dhe 1,376 euro për shpenzime të tjera për të cilat nuk janë ofruar të dhëna specifike se për çka janë shpenzuar.
Shpenzime të larta janë realizuar nga ana e Kuvendit edhe për dreka zyrtare. Për tre muaj, deputetët e Kuvendit kanë shpenzuar 14,924.00 euro për dreka zyrtare. Kurse, 11,754.51 euro janë shpenzuar për karburante për vetura.
Në raportin e publikuar mungojnë të dhënat lidhur me arsyet e vizitave të deputetëve jashtë vendit dhe datat që tregojnë se sa kanë qëndruar deputetët në një udhëtim të caktuar. Mos publikimi i raportit të detajuar të shpenzimeve na kufizon në vlerësimin e menaxhimit të buxhetit nga ana e Kuvendit.
KDI konsideron që Kuvendi i Kosovës duhet të tregoj kujdes të shtuar në menaxhimin e parasë publike, dhe të mos krijoj shpenzime të panevojshme. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të angazhohen maksimalisht në përmbushjen e funksioneve parësore të Kuvendit, duke përfaqësuar denjësisht qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe duke garantuar mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit. Shpenzimet e panevojshme nga ana e Kuvendit do të ndikojnë negativisht në perceptimin e punës së Kuvendit nga ana e qytetarëve dhe mund të krijoj imazh negativ për deputetët dhe punën e tyre.