KDI-ja: Kuvendi të thërrasë seancë për dialogun me Serbinë
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kjo kërkesë e KDI-së ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës më 19 prill të këtij viti ka miratuar projekt-platformën për finalizimin e dialogut Kosovë-Serbi, platformë e cila i është dorëzuar presidentit të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës.
“Kjo platformë në formën e një draft-rezolute u shqyrtua në Komisionin për Punë të Jashtme më 4 maj 2018. Ky komision vendosi që platformën ta procedojë në seancë plenare, megjithatë Kuvendi deri tani është i painteresuar për t’i dhënë prioritet dialogut Kosovë-Serbi. Duke e konsideruar rëndësinë e procesit të dialogut që ndërlidhet drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE, konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve, KDI-ja vlerëson që Kuvendi i Kosovës duhet të jetë epiqendra e diskutimeve për hapat e mëtejmë rreth këtij procesi. KDI-ja kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me fazën e re të dialogut me Serbinë dhe platformën shtetërore të Kosovës për këtë proces”, është thënë në njoftimin e KDI-së.
Sipas këtij njoftimi, debati rreth të ardhmes së këtij procesi duhet të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, ku partitë parlamentare duhet të synojnë të ndërtojnë konsensus politik dhe të artikulojnë qartazi qëndrimet e shtetit të Kosovës në këto bisedime.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës në këtë platformë duhet të përcaktojnë temat e diskutimit, pritshmërinë e palës kosovare, rolin e institucioneve dhe ekipin negociues, duke i dhënë legjitimitet këtij procesi shtetëror me miratimin e një rezolute e cila do të garantoj gjithashtu bashkërendim të institucioneve, gjithëpërfshirje, llogaridhënie dhe transparencë”, është thënë njoftimin e KDI-së.
KDI-ja u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të jenë më aktiv në trajtimin e çështjeve të dialogut në seancat e Kuvendit dhe në mbledhjet e komisioneve.
/Epoka e re/