KDI-ja: Mungesë e transparencës në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale në rajonin e Prizrenit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë një konference për media të enjten ka publikuar analizën hulumtuese “Politikat sociale në nivel lokal” ku përfshihen komuna e Prizrenit, Rahovecit dhe Dragashit.
Hulumtimi nxjerrë në pah, ngecjen në hartimin e planeve vjetore si dhe mirëmbajtjen e shërbimeve sociale dhe familjare në këto komuna.
Fokusi i analizës është përqendruar në politikat e komunave në ndarjen e subvencioneve dhe në programet e banimit social.
Naim Cahani nga KDI-ja, gjatë konferencës ka theksuar se edhe përkundër obligimeve ligjore të komunave në hartimin e planeve vjetore në mirëmbajtjen e shërbimeve sociale dhe familjare, asnjë nga komunat që përfshihen në kuadër të këtij hulumtimi nuk kanë dokumente të tilla.
Një gjë e tillë ka thënë se ka reflektuar në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies së komunave në përfshirjen e qytetarëve në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale.
Tutje, ai ka potencuar mungesën e respektimit të procedurave dhe mungesën e kritereve të qarta për dhënien e subvencioneve në nivel lokal.
Kurse Elmedina Dorambari nga KDI, ka folur për politikat e financimit të Organizatave të Shoqërisë Civile që ofrojnë shërbime të caktuara sociale.
“Gjatë hulumtimit, është vërejtur mungesë kriteresh dhe uniformiteti, duke mos specifikuar në detaje se cilat nga kriteret duhet të përmbushen me qëllim të qasjes në subvencione nga ana e Organizatave të Shoqërisë Civile. Mungesa e politika të brendshme, mund të reflektojë në mungesë të transparencës dhe përjashtimin e shumë organizatave që ofrojnë shërbime sociale në territorin e komunave përkatëse”, ka thënë Dorambari.
Ky hulumtim, e nxjerr komunën e Prizrenit si komunë të vetme e cila në kuadër të politikave të saja sociale ka investuar në financimin e programeve të veçanta të banimit. Por Komuna e Prizrenit, duhet të krijojë një mekanizëm shumë-palësh në monitorimin e zbatimit të kontratave me përfituesit aktualë.
/Epoka e re/