KDI-ja ndan çmimet për anëtarët e kuvendeve komunale me performancën më të mirë, çmimet kryesore i fiton Gjilani
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me DEMOS ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve për anëtarët e kuvendeve komunale me performancën më të mirë në rolin përfaqësues, legjislativ dhe mbikëqyrës, të komunës së Gjilanit, Prizrenit, Malishevës, Istogut, Kllokotit dhe Rahovecit.
Çmimet për asamblistët e komunave janë ndarë si çmimi “Anëtari i kuvendit komunal më aktiv”, “Anëtarja e kuvendit komunal më aktive” si dhe çmimi “Anëtari i ri i kuvendit komunal më aktiv”.
Gentrit Murselin nga komuna e Gjilanit, ka fituar çmimin si “Anëtari më aktiv i Kuvendit Komunal” në gjashtë komunat monitoruese.
Ndërsa Gresa Avdiu nga komuna e Gjilanit, ka fituar çmimin si “Anëtarja e Kuvendit Komunal më aktive” nga gjashtë komunat monitoruese.
Kurse Besnik Shala nga komuna e Gjilanit ka marrë çmimin si “Anëtari më aktiv me mandat të parë në Kuvendim Komunal”, nga gjashtë komunat monitoruese.
Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Avdula Djeseviq, ka thënë se kjo ministri është duke bërë gjithçka për të përmirësuar qeverisjen komunale dhe së është në interes të Kosovës për të përmirësuar administratën vendore.
“Ministria si institucion është përgjegjës për pasqyrimin e performacës së komunave. Ministria është duke bëtë gjithçka për të përmirësua qeverisjen komunale, është interes i Kosovës për të përmirësuar administratën në Kosovë dhe ka nevojë për shumë punë. Duhet të përfshihemi në shërbimet e komunave pa dallim. Suksesi i komunave varet nga zhvillimi i anëtarëve të komunave, e vlerësoj aktivitetin e DEMOS-it dhe KDI-së, puna e tyre ka ndikuar në rritjen e punës së anëtarëve të komunave në mandatin e tyre”, ka thënë ai.
Ndërsa ambasadori i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se roli i anëtarëve të kuvendeve komunale është thelbësor për përfaqësimin e interesit të qytetarëve.
Më tutje, Jürg Sprecher, ambasador i Zvicrës në Kosovë, ka thënë se demokracia lulëzon kur qytetarët në mënyrë aktive përfshihen në mirëqenien e komuniteteve dhe marrin përgjegjësi.
Në anën tjetër, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se anëtarët e kuvendeve komunale kanë siguruar që iniciativat që ndërmerren nga komunat të jenë në linjë me nevojat e qytetarëve.
Në këtë ngjarje është bërë edhe shfaqja e video dokumentarit të shkurtër për anëtarët e kuvendeve komunale, prodhuar nga DEMOS.
Naim Cahanaj nga KDI-ja, ka thënë se qëllimi i këtij raporti është rritja e llogaridhënies dhe nxitja e një përformance më të mirë të anëtarëve të kuvendeve komunale. /EO