KDI-ja nis aktivitetet në kuadër të muajit kundër korrupsionit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka nisur sot aktivitetet e para që do të zhvillohen në kuadër të muajit kundër korrupsionit 2018, në një bashkëbisedim me përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile.
Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu ka theksuar se në këtë vit, KDI-ja me aktivitetet e saj, do ta vendos qytetarin e zakonshëm në plan të parë.
“Këto aktivitete kanë për qëllim ta fuqizojnë rolin e qytetarit si akter i rëndësishëm në luftën kundërkorrupsion dhe përkojnë me përpjekjet globale qytetare për një ‘botë të lirë nga korrupsioni’”, ka thënë ai.
Gjatë këtij muaji, KDI-ja do të bëjë publike raporte që flasin për cilësinë e prokurimit në institucionet qeveritare, që janë edhe ndër shpenzuesit më të mëdhenj të parasë publike, si Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë dhe Autoriteti Qendror i Prokurimit.
Në kuadër të kësaj, do të shpaloset një analizë e vendimit të qeverisë për dhënien e 53 milionë eurove si penalti kompanisë “Bechtel &Enka” si dhe një analizë tjetër që flet për mosndëshkueshmërinë në prokurimin publik.
Po ashtu KDI-ja gjatë këtij muaji do të trajtoj edhe financimin e subjekteve politike në kohë të fushatave elektorale, më saktë përmes një analize ligjore do të promovojë standardet e reja të transparencës në fushata zgjedhore, standarde që përdoren edhe në vendet e BE-së.
/Epoka e re/