KDI-ja: Pas propozimeve të fundit për dialogun, qeveria të flasë

20 tetor 2022 | 17:16

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka theksuar se dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një dinamikë të re pas intensifikimit të vizitave të emisarëve specialë nga ShBA-ja dhe BE-ja.

“Nga deklarimet e emisarit Gabriel Escobar për përkrahjen e ShBA-ve ndaj të ashtuquajturit propozim ‘franko-gjerman’, tashmë është konfirmuar ekzistenca e një propozimi konkret që u është ofruar palëve për arritjen e një marrëveshje. Këto dinamika të reja janë duke u karakterizuar nga mungesë e theksuar e transparencës nga institucionet kosovare. Presidentja dhe kryeministri i vendit ende nuk janë deklaruar lidhur me përmbajtjen dhe qëndrimin e Kosovës karshi këtyre zhvillimeve dhe propozimeve”, është thënë në komunikatën e KDI-së.

Ndonëse KDI mirëpret iniciativën e kryeministrit Kurti për zhvillimin e takimeve me liderët e partive opozitare në funksion të konsensusit politik, të njëjtat nuk duhet t’i zëvendësojnë obligimet kushtuese e ligjore të qeverisë për të raportuar në Kuvend dhe për të informuar publikun.

“Prandaj, KDI-ja kërkon nga qeveria që në kuadër të kompetencave të saj, të kërkojë mbajtjen e një seance parlamentare ku do të trajtoheshin detajisht zhvillimet e fundit në procesin e dialogut, si dhe qëndrimet e Kosovës ndaj tyre. Në të kundërtën, Kuvendi duhet që të ushtrojë funksionin mbikëqyrës me vetiniciativë, duke e ftuar kryeministrin në raportim”, është theksuar në komunikatën e KDI-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Biznesmeni e pronari i Sharr Travel, Ruzhdi Kurtishaj, ka vizituar…