KDI-ja: Rahoveci, komuna më transparente për vitin 2019

03 mars 2020 | 13:47

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe organizata joqeveritare “Aktiv” kanë  publikuar të martën “Indeksin e Transparencës” për 38 komunat e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Vlerësimi është bërë në gjithsej 48 indikatorë, të cilët e kanë burimin në legjislacionin vendor dhe në praktikat më të mira të transparencës dhe llogaridhënies publike.

Komuna më transparente për vitin 2019, është vlerësuar ajo e Rahovecit me gjithsej 85 pikë nga 96 sa janë maksimale, ndërsa komuna më së paku transparente është vlerësuar komuna e Mitrovicës Veriore me 39 pikë.

Dhjetë komunat me nivelin më të kënaqshëm të transparencës janë: Rahoveci (85 pikë), Mitrovica e Jugut e Prishtina (83 pikë), Drenasi, Vitia dhe Malisheva (80 pikë), Suhareka, Gjakova, Peja dhe Vushtrria (78 pikë). Pesë komunat me nivelin më të ulët të transparencës janë: Deçani (50 pikë), Zubin Potoku (46 pikë), Fushë Kosova (45 pikë), Juniku (44 pikë) dhe Mitrovica e Veriut (39 pikë).

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se përveç matjes së transparencës në 38 komuna sikurse edhe në vitet e mëparshme, kjo organizatë ka punuar aktivisht në 11 komuna, duke organizuar dhe ndërmjetësuar më shumë se 240 takime me komunitetin dhe përfaqësuesit e autoriteteve komunale për të gjetur zgjidhje për problemet dhe prioritetet lokale.

Ndërsa Caleb Waugh nga organizata joqeveritare “Aktiv”, ka theksuar se është me rëndësi të nënvizohet roli i organizatave joqeveritare në monitorimin e institucioneve dhe ushtrimin e presionit pozitiv për të garantuar transparencë dhe qeverisje të mirë”.

Në anën tjetër, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se transparenca është vlerë thelbësore e demokracisë. “Një udhëheqës me integritet do të duhej t’u tregojë qytetarëve të vet se si po shpenzohen taksat e tyre dhe se a po mbahen premtimet e bëra në fushatë zgjedhore”, ka thënë Abbotti.

Më tutje, ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi ka thënë se transparenca është detyrim kushtetues e ligjor i organeve të pushtetit, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milazim Krasniqi Vëllimi poetik më i ri i Sali Bashotës…