KDI-ja: Reforma në drejtësi me kritika e kontestime, pak rezultate nga 40 iniciativat ligjore
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një tryeze diskutimi me temën “Progresi i reformës në drejtësi”, ka publikuar raportin analitik “Reforma në Drejtësi: Arritjet, sfidat dhe rruga përpara”.
Në këtë tryezë është thënë se qeveria Kurti për këto tri vjet qeverisje, ka iniciuar rreth 40 iniciativa ligjore në kuadër të reformave në drejtësi, por që rezultatet kanë qenë të pakta.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se procesi i reformave në drejtësi gjatë qeverisjes së Albin Kurtit është përcjellë me shumë kontestime dhe kritika.
“Ky proces nuk është përcjellë qetësisht, ka pasur shumë kontestime, ka papasur shumë kritika edhe në Gjykatën Kushtetuese të cilat kanë atakuar qoftë kushtetutshmërinë apo kanë pasur edhe tendenca të tjera. Sidomos opozita ka qenë shumë e zëshme duke përfshirë edhe shoqërinë civile”, ka thënë ai.
Ndërsa ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, ka thënë se për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, fillimisht duhet njohur sfidat.
“Jemi të zotuar për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovës, në reformën e përgjithshme të drejtësisë. Siç e dini drejtësia është një përpjekje njerëzore dhe është ideale që formëson institucionet, ligjet dhe ndërgjegjësimin kundër-korrupsionit. Mbetet sfiduese, ndërsa po e trajtojmë reformën në drejtësi duhet t’i njohim sfidat, faktorët për të shpjer në një drejtësi më të barabartë”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, Violeta Haxholli, menaxhere e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), e cila ka prezantuar analizën: “Reforma në drejtësi: Arritjet, sfidat dhe rruga përpara”, ka thënë se kjo qeveri për tri vjet ka sjellë rreth 40 iniciativa ligjore në kuadër të reformave në drejtësi, por që ka pasur pak rezultate.
Ajo ka thënë se tri propozimet kryesore që kishte kjo qeveri: proces i ri i vetingut në sistemin e drejtësisë, krijimi i një byroje shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe reforma në Këshillin Prokurorial, mbeten si qëllime kryesore të parealizuara.
“Për këto tri vite në aspekt të numrave ka pasur një numër të madh të iniciativave ligjore për reformë në drejtësi. Rreth 40 iniciativa ligjore ka iniciuar qeveria, por nëse bëjmë një rezyme të saj mungojnë rezultatet në praktikë. Iniciativat kryesore nuk kanë sjellë ende rezultatet e dëshiruara. Një element tjetër që përfshinë ky raport ka qenë përfshirja e organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarët. Sa i përket përfshirjes së qytetarëve kemi parë që publiku nuk është fare i informuar nga iniciativat ligjore. Gjë që tregon nevojën për një komunikim më të mirë të Qeverisë dhe të Kuvendit”, ka thënë Haxholli. /EO