KDI-ja: Sesioni pranveror i Kuvendit, i paorganizuar dhe me mungesë të kuorumit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka bërë monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror të vitit 2018, me ç’rast ka bërë me dije se kjo periudhë është karakterizuar me mungesa të theksuara të deputetëve në votim dhe mos organizim të duhur të punimeve.
Artan Murati nga KDI-ja në një konferencë për medie ka treguar se Kuvendi nuk ka qenë efikas në organizimin dhe menaxhimin e punimeve të tij.
“Janë 20 nga gjithsej 27 seancat e mbajtura gjatë periudhës janar – korrik që kanë vazhduar punimet në ditë të tjera, për shkak të numrit të madh të pikave të rendit të ditës dhe mungesës së kuorumit. Thirrja e seancave të reja pa përfundimin e seancave paraprake ka ndikuar në grumbullim të pikave të papërfunduara të rendit të ditës, dhe në efikasitetin e punës së Kuvendit”, ka deklaruar ai.
Sipas Muratit, karakteristikë e këtij sesioni të punës së Kuvendit është mungesa e theksuar e pjesëmarrjes në votim nga deputetët.
Ai ka bërë me dije se kjo ka prodhuar ngecje në funksionin ligjvënës të Kuvendit duke limituar në masë të madhe numrin e projektligjeve të miratuara, përfshirë këtu edhe dështimin e ratifikimit të disa marrëveshje ndërkombëtare me rëndësi të veçantë për qytetarët e vendit.
“Vlen të theksohet se përmbushja e agjendës legjislative për 2018 deri tani është 22%. Mungesa e deputetëve në votim nuk përbën shqetësimin e vetëm. Deputetët kanë munguar jo vetëm në seanca plenare, por edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Gjatë sesionit pranveror janë evidentuar 660 mungesa, praktikë kjo që bie në kundërshtim me obligimet e deputetëve për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit”, është shprehur Murati.
KDI-ja u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike parlamentare që të trajtojnë dhe rregullojnë këtë çështje përmes Rregullores së Punës së Kuvendit, dhe deputetët që mungojnë në seanca, e sidomos në votim, të penalizohen.
“Mos pjesëmarrja në seanca dhe në votim është shmangie nga përgjegjësia dhe përfaqësimi i qytetarëve. Për deputetët që nuk marrin pjesë në votim duhet të parashihen ndëshkime, jo vetëm me votë por edhe financiare”, ka theksuar ai.
Edhe pse me tre muaj vonesë, ai ka treguar se Kuvendi në këtë legjislaturë, për herë të parë e ka miratuar planin e punës për vitin 2018.
“Agjenda legjislative e Kuvendit është ndërtuar mbi planin legjislativ të Qeverisë dhe përfshin 135 projektligje, 22 nga të cilat janë bartur nga viti i kaluar. Në ndërkohë, agjendës legjislative i janë shtuar edhe 13 projektligje të tjera që më herët nuk kanë qenë të parapara, duke rritur numrin në 148 projektligje të planifikuara për shqyrtim këtë vit. Për sesionin pranveror Kuvendi ka arritur që të miratojë 33 ligje, ndërsa në komisionet parlamentare, në procedurë për shqyrtim janë edhe 55 projektligje (38%). 59 projektligje ose (40%) nuk janë përgatitur ende. Kuvendi ka vazhduar me praktikën e shqyrtimit të projektligjeve në procedurë të përshpejtuar, ku gjatë këtij sesioni, 11 nga ligjet e miratuara janë shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar”, ka deklaruar Murati.
/Epoka e re/