KDI-ja: ShSKUK-ja përmes procedurës emergjente dëmton buxhetin për 42 000 euro

31 janar 2022 | 18:13

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka njoftuar se më 15 dhjetor 2021 Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka nënshkruar një kontratë me kompaninë “Madekos” për furnizim me maska kirurgjikale dhe dorëza.

“Çmimi i kontratës është 150 035 euro, me një kohëzgjatje prej 3 muajsh. ShSKUK-ja përdori procedurën e negociuar për shkak se tenderi i hapur për të njëjtat produkte është me ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Mirëpo ShSKUK-ja nuk i ka ftuar të gjithë operatorët që kanë ofertuar në tenderin e hapur që të ofertojnë edhe në tenderin me negocim. ShSKUK ka pranuar çmime më të larta se ofertat e pranuar nga e njëjta kompani për maska kirurgjikale. ‘Madekos’ ka ofertuar 0.03 euro në tenderin e hapur, ndërsa në tenderin me procedurë të negociuar, 0.04 euro”, ka njoftuar KDI-ja.

Sipas këtij njoftimi, ShSKUK-ja ka ftuar vetëm edhe një kompani tjetër për të ofertuar në procedurën e negociuar, por e cila ka dhënë një çmim më të lartë.

“Si rezultat i kufizimit të konkurrencës, ShSKUK-ja ka pranuar çmime më të larta. Gjithashtu, nuk ka ndonjë dëshmi se ShSKUK-ja ka tentuar që të negociojë për ta ulur çmimin. Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, nënkupton që autoriteti kontraktues duhet të tentojë që të negociojë dhe ta ulë çmimin. ShSKUK-ja është dashur të ftojë të gjithë operatorët ekonomikë që kanë ofertuar në tenderin e hapur në mënyrë që të marrë çmime më të lira. Një nga parimet bazë të prokurimit është konkurrenca dhe është vërtetuar se kur rritet niveli i konkurrencës ka mundësi më të mëdha që të ketë çmime më të ulëta”, thuhet në njoftim.

Sipas KDI-së, një nga operatorët ekonomikë që ka marrë pjesë në tenderin e hapur, “Ardi Sh.P.K” është ankuar me pretendimin se nuk është ftuar që të marrë pjesë në tenderin e negociuar dhe se do të mund që këto produkte t’i ofertonte me çmim prej 90 000 eurosh, pra rreth 60 000 më lirë se çmimi i kontratës. “Nëse kontrata do të llogaritej me çmimet e ofertuara në tenderin e hapur atëherë ShSKUK-ja do të paguante rreth 108 000 euro. Një vendim i paanalizuar mirë, që të përdoret procedura e negociuar dhe të ftohen vetëm dy operatorë ekonomikë, ka bërë që ShSKUK-ja të dëmtojë buxhetin e saj për rreth 42 000 euro”, është bërë me dije në njoftimin e KDI-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vjen hapi i madh i rëndësishëm në karrierën e Myrto…