KDI-ja: Thaçi ta informojë Kuvendin për takimin e fundit me Vuçiqin
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
“Pas takimit të së dielës në Bruksel ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi duhet t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të informojë deputetët rreth përmbajtjes së bisedimeve dhe për hapat e mëtutjeshëm të këtij procesi për të cilat është dakorduar në takimin e mbajtur. KDI-ja vlerëson se është jetike për vendin që faza finale të garantojë gjithëpërfshirjen politike”, është thënë në reagimin e KDI-së.
Reagimi i plotë i KDI-së:
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Pas takimit të së dielës në Bruksel ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, kreu i shtetit të Kosovës, z. Hashim Thaçi duhet t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të informojë deputetët rreth përmbajtjes së bisedimeve dhe për hapat e mëtutjeshëm të këtij procesi për të cilat është dakorduar në takimin e mbajtur.
Procesi i dialogut vazhdon të jetë jotransparent. Ende nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë faza finale e dialogut, cilat tema do të jenë pjesë e këtyre diskutimeve, çfarë pritet të arrihet në përfundim të tij dhe mbi të gjitha si do të garantohet gjithëpërfshirja politike dhe respektimi i mandatit kushtetues të institucioneve të vendit.
KDI-ja vlerëson se është jetike për vendin që faza finale të garantojë gjithëpërfshirjen politike.
Institucionet shtetërore duhet të kryejnë obligimet e tyre kushtetuese dhe të respektojnë komunikimin në kuadër të kompetencave institucionale, me qëllimin e vetëm për të mbrojtur interesin shtetëror dhe jo për të minuar atë.
KDI-ja qëndron prapa kërkesës së saj publike drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 29 maj 2018 për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi fazën e re të dialogut. Kuvendi i Kosovës që nga konstituimi i tij nuk ka mbajtur asnjë seancë me pikë të rendit të ditës të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi. Kuvendi nuk ka më kohë për të humbur për të miratuar rezolutën për të ardhmen e këtij procesi.
Kuvendi i Kosovës duhet të marrë përgjegjësi në këtë proces, duke definuar pritshmëritë, dhe vijat e kuqe të shtetit të Kosovës të cilat në asnjë moment nuk do të cenojnë integritetit territorial të Kosovës dhe funksionimin e sistemit unitar duke garantuar përfaqësimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare si të barabartë me secilin shtet tjetër. Institucionet e Kosovës nuk duhet të lejojë që bisedimet me Serbinë të vazhdojnë pa arritjen e një konsensusi politik dhe pa platformë shtetërore.
KDI-ja iu bënë thirrje edhe partive politike që të angazhohen për këtë proces shtetëror duke luajtur një rol më konstruktiv dhe më të përgjegjshëm, duke lënë mënjanë politikat ditore dhe kalkulimet politike.
/Epoka e re/