KDI-ja tregon cilat komuna nuk organizuan dëgjime buxhetore
31 tetor 2022
| 12:04
Përkundër që ekzekutivi i komunës është i obliguar të mbajë dëgjime buxhetore për projektbuxhetin e komunës, Komuna e Skenderajt dhe ajo e Deçanit nuk kanë organizuar dëgjime buxhetore për projektbuxhetin e komunës për vitin 2023.
Kështu është bërë me dije gjatë publikimit të raportit për praktikat e organizmit të dëgjimeve buxhetore në vitin 2022 për nëntë komuna të Kosovës, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Gentiana Zeqiri nga KDI-ja, ka thënë se shqetësuese mbetet mosangazhimi i disa kuvendeve të komunave, Prishtinë, Kamenicë dhe Skenderaj për të organizuar së paku një dëgjim buxhetor gjatë muajit shtator 2022.