KDI për lejet e Sveçlës: Precedent i rrezikshëm dhe përpjekje për t’ua kufizuar të drejtat deputetëve
Instituti Demokratik i Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se qysh para inicimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, KDI u pati bërë thirrje partive politike dhe koalicionit qeverisës që të gjejnë një rrugëdalje nga kriza politike deri në tejkalimin e gjendjes së krijuar me pandeminë COVID – 19.
Sipas KDI pasojat e mungesës së një qeverie me mandat të plotë janë vërejtur edhe dje gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvend.
Njoftimi i plotë:
Instituti Demokratik i Kosovës, qysh para inicimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, u pati bërë thirrje partive politike dhe koalicionit qeverisës që të gjejnë një rrugëdalje nga kriza politike deri në tejkalimin e gjendjes së krijuar me pandeminë COVID – 19. Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, qeveria aktuale konsiderohet si qeveri në detyrë dhe si e tillë nuk mund të ndërveprojë në formë të rregullt me Kuvendin. Pasojat e mungesës së një qeverie me mandat të plotë u vërejtën dje gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.
Thirrja e seancës së jashtëzakonshme me iniciativën e deputetëve
Seanca e 14 prillit u iniciua nga 48 deputetë për të diskutuar rreth propozimit të PDK-së lidhur me miratimin e masave konkrete ekonomike e financiare që duhet t’i ndërmarrë Republika e Kosovës, për të tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike dhe adresuar pasojat e pandemisë së Covid 19.
Seanca filloi me kërkesën e propozuesit për një mocion procedural për futjen e dy projektligjeve në procedurë të shqyrtimit. Kërkesa për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme përmbante çështjen e cila do të diskutohej dhe arsyetimin pse kjo çështje konsiderohej e ngutshme. Kërkesa e deputetëve në seancë për futjen e pikave të tjera në rend dite është në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për leje të veçantë të qarkullimit për deputetët dhe administratën e Kuvendit
Një ditë para mbajtjes së seancës, Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në detyrë lëshoi vendimin për lejet e veçanta të qarkullimit për deputetët dhe punëtorët e administratës së Kuvendit.
KDI ua rikujton të gjithë bartësve të funksioneve publike se mandati dhe detyrat kushtetuese të deputetëve, si përfaqësues të zgjedhur nga qytetarët, janë të pacenueshme dhe se vendimi i tillë mund të paraqes precedent të rrezikshëm në përpjekjet për kufizimin e të drejtave të deputetëve. Nëse Kuvendi i Kosovës vendosë për zhvillimin e punimeve të tij, institucionet relevante (përfshirë edhe Ministrinë e Punës së Brendshme) duhet të zbatojnë detyrat e tyre dhe brenda mundësive të krijojnë kushtet për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit.
Është më se e qartë se Kuvendit të Kosovës, si organi më i lartë legjislativ, i njihet e drejta e iniciativës ligjore dhe hartimit të projektligjeve. Në gjendje normale të funksionimit të organeve shtetërore, këto projektligje dorëzohen në Qeveri për marrjen e mendimit të ekzekutivit, i cili nuk është i obligueshëm për Kuvendin. Në situatën e krijuar pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, vlerësojmë se Kuvendi i Kosovës duhet të frenojë ndërmarrjen e iniciativave të tilla me qëllim të shmangies së prodhimit të pasojave juridike dhe rrezikimit të sistemit kushtetues në Kosovë.
Instituti i bën thirrje Kuvendit dhe trupave të tij punues që të vazhdojnë me ushtrimin e dy funksioneve tjera kushtetuese: atë të përfaqësimit të interesave të qytetarëve dhe mbikëqyrjes së punës së ekzekutivit. Mbikëqyrja e ekzekutivit, bëhet edhe më e rëndësishme në periudha krizash, siç është rasti me pandeminë aktuale, kur merren vendime pa konsultime paraprake me publikun dhe kur shpenzohen mjete të shumta buxhetore me procedura emergjente.