KDI: Qytetarët kërkojnë përfshirjen direkte të ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sot ka prezantuar rezultatet nga hulumtimi i pestë i opinionit publik lidhur me dialogun Kosovë-Serbi: “Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, këndvështrimi i qytetarëve”.
Jeta Krasniqi nga KDI, ka bërë me dije se sipas të gjeturave të këtij hulumtimi, rreth 49 për qind e qytetarëve të anketuar mendojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të vazhdojë pa përfshirjen direkte të ShBA-ve në këtë proces.
“Rreth 49% e qytetarëve mendojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të vazhdojë pa përfshirjen direkte të ShBA-ve në këtë proces. Janë 45% e të anketuarve nga komuniteti serb që ndajnë qëndrimin se dialogu duhet të vazhdojë edhe pa përfshirje të ShBA-ve në këtë proces, kundrejt vetëm 29% të qytetarëve nga komuniteti shqiptar dhe 24% nga komunitetet e tjera të cilët mendojnë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Krasniqi.
Ajo ka theksuar se bazuar në këtë sondazh, mbi gjysma apo 51% e qytetarëve të anketuar nuk presin që procesi i dialogut me Serbinë të përmbyllet gjatë vitit 2018. Sipas saj, qëndrim të ngjashëm ndajnë të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Krasniqi ka treguar se rreth gjysma e qytetarëve të anketuar (48%) nuk presin njohje nga Serbia në përfundim të procesit të dialogut.
“Vetëm 1% e qytetarëve të komunitetit serb presin që Serbia do të njoh shtetin e Kosovës në përfundim të këtij procesi, krahasuar me 34% të qytetarëve të komunitetit shqiptar dhe 23% e qytetarëve të komuniteteve të tjera”, ka deklaruar ajo.