KDI: Të hapet grupi punues për Ligjin e financimit të subjekteve politike
Mungesa e transparencës në punimet e grupit punues për plotësim ndryshimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike në kuadër të Komisionit për buxhet dhe financa të Kuvendit të Kosovës, ishte tema për të cilën KDI ka organizuar një tryezë diskutimi sot në Prishtinë, gjatë së cilës edhe ka ofruar rekomandimet që ky ligj duhet t’i adresojë.
Pjesëmarrës në tryezë ishin edhe përfaqësues të subjekteve politike, hartuesit e ligjit dhe anëtarët e shoqërisë civile.
Florent Spahija, këshilltar ligjor në KDI, duke komentuar mbi punën e grupit punues të udhëhequr nga opozita, ka thënë se askush nuk ka informata mbi atë se cilat janë ndryshimet që ky grup po bënë në ligjin në fjalë.
“Mostransparenca e grupit punues për një temë kaq të rëndësishme si financimi i subjekteve politike është një tregues i qartë i qasjes që subjektet politike kanë ndaj parimeve bazë të qeverisjes, si transparenca e llogaridhënia”, ka thënë ai.
Organizata të ndryshme të shoqërisë civile vendore dhe ndërkombëtare në vend, kanë tentuar disa herë të marrin pjesë në takimet e grupit punues, por e kishin të pamundur pasi që tre takimet e fundit ishin mbajtur me dyer të mbyllura.
Analiza e KDI-së mbi ligjin aktual për financimin e subjekteve politike përmban rekomandime konkrete për standardet që do ta garantonin transparencën financiare të subjekteve politike. Këto standarde konsiderohen si minimale për garantim të transparencës dhe do të mund të integroheshin në të gjithë legjislacionin që rregullon fushën e zgjedhjeve dhe funksionimin e subjekteve politike.
KDI kërkon që ligji i ndryshuar për financimin e subjekteve politike të adresojë pesë çështje:
Publikimin e emrave të të gjithë anëtarëve të shtabeve zgjedhore të subjekteve politike në garë;
Detyrimin ligjor që obligon subjektet politike të hapin për publikun llogaritë bankare;
Publikimin e shpenzimeve financiare të secilit kandidat në fushatë;
Publikimin e të dhënave edhe për subjektet juridike (kompanitë) që japin donacione për subjekte; politike, jo vetëm të dhënat për pronarët e kompanive;
Publikimin e kalendarëve të të gjitha ngjarjeve, të cilat do t`i realizojë subjekti politik gjatë fushatës.
/Epoka e re/