Kë do të zgjidhnit në mes të ShBA-së dhe Sali Berishës? Përgjigjet Ilir Meta
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur për takimin që ai kishte pak ditë më parë me ambasadoren e ShBA-së në Tiranë, Yuri Kim.
Pas tensioneve të vazhdueshme që kishte në të shkuarën mes tij dhe diplomates amerikane, Meta ka thënë se sot Partia e Lirisë (PL) është bashkëpunëtore me ShBA-në dhe shpreson që çdo vendim i marrë nga kjo parti do të respektohet.
“Ua kam thënë se kemi pasur një bisedë të hapur dhe bashkëpunuese. Edhe vetë zonja Ambasadore është shprehur. Ne nuk ndajmë të njëjta mendime për çdo gjë. Se unë jam politikan, ajo është diplomate dhe do përmbahet udhëzimeve që merr. Ajo që është e rëndësishme se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA, bashkëpunimi është i shkëlqyer, në qëndrimet tona. Për stabilitetin në rajon, solidariteti me Ukrainë, me NATO me BE. Sa i takon çështjeve të brendshme jam i bindur që respektojnë zgjedhjet e çdo force politike dhe qytetarëve shqiptar. Jam i sigurt se do respektojnë çdo vendim që merr PL-ja”, ka thënë Meta.
Ndërkohë i pyetur se nëse ShBA do të kërkonte që ai të distancohej nga Sali Berisha, Meta ka thënë se marrëdhëniet e tij me ShBA-në nuk do të cenohen.
“Marrëdhëniet e mia me ShBA-në nuk cenohen. Përkundrazi. Amerika është vendi i lirisë. Liria do të thotë se në finale mbizotëron vullneti i popullit. Amerika e ka treguar që respekton vullnetin e popullit”, ka thënë Meta./Abcnews