KE-ja ndan 300 milionë euro për të mbështetur imunizimin
Komisioni Evropian (KE) ka njoftuar të enjten se do t’i ndajë 300 milionë euro për Aleancën e Vaksinave “Gavi” në periudhën 2021-2025, për të mbështetur imunizimin e 300 milionë fëmijëve në të gjithë botën dhe krijimin e stoqeve të vaksinave për të mbrojtur kundër sëmundjeve infektive.
Aleanca e Vaksinave “Gavi” është një partneritet jo-fitimprurës global publik-privat me seli në Gjenevë.
Modeli i “Gavi” është krijuar për të shfrytëzuar burimet financiare dhe ekspertizën dhe për të bashkuar qeveritë dhe prodhuesit e vaksinave nga vendet e industrializuara dhe në zhvillim, agjencitë kryesore të OKB, institucionet e shëndetit publik dhe kërkimit, sektorin privat dhe shoqërinë civile.
Ata synojnë të rrisin mundësinë e përdorimit të vaksinave të reja dhe të përdorura në vendet e varfra dhe kështu të shpëtojnë jetën dhe të mbrojnë shëndetin e njeriut.
“Vaksinat mund të shpëtojnë jetë vetëm nëse ato janë të disponueshme për të gjithë ata që kanë nevojë, veçanërisht në komunitetet dhe rajonet më të prekshme të botës. Kjo është arsyeja pse puna e Aleancës së Vaksinave ‘Gavi’ është kaq e rëndësishme. Unë jam e kënaqur që Komisioni Evropian mund të mbështesë ‘Gavi’ në një ndërmarrje kaq të rëndësishme për të kapërcyer këtë pandemi dhe të shmangim të reja”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.