KE-ja pranon se gabimisht kërkoi që shtetet e rajonit t’i vendosnin viza Kosovës

06 dhjetor 2022 | 14:21

Komisioni Evropian (KE) ka pranuar se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasues ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi i kërkohej që t’i vendosnin regjimin e vizave Kosovës.

KE-ja ka theksuar se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kërkon që regjimi i vizave në zonën Shengen të hiqet pa vonesa për kosovarët.

Vendosja e pasuesit ku kërkohej që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi t’i vendosnin viza kosovarëve për shkak të, siç u pretendua, se këto dy shtetet nuk i kanë përshtatur politikat e vizave me Bashkimin Evropian, ka shkaktuar reagime në Kosovë, përfshirë edhe nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

Ai e kishte cilësuar si “të papranueshëm vendosjen e regjimit të vizave”, por një ditë më pas tha se KE-ja do ta përmirësojë këtë gabim.

“Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian, dhe ne absolutisht mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon”, ka thënë gjatë një konference për media zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

KE-ja ka thënë se ky gabim do të përmirësohet përmes një versioni të ri të po të njëjtit raport.

Ky institucion i BE-së ka theksuar se nëse ky lëshim do të ishte i vërtetë, ai do të ishte në kundërshtim me mbështetjen e deklaruar të BE-së për lirinë e lëvizjes mes shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, po ashtu ka mbështetur një marrëveshje të arritur në kuadër të Procesit të Berlinit, për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa zëdhënësja për çështje të brendshme e KE-së, Anitta Hipper, ka thënë se KE-ja “tërësisht mbështet lirinë e lëvizjes në rajon dhe tërësisht mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, si çështje me prioritet”.

“Sa i përket çështjes specifike nga rajoni, jemi duke e përmirësuar dhe do të dalë versioni i përmirësuar”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tirana është mikpritëse e Samitit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor…