Kearnsi: Një shtet i aleancës ‘Five Eyes’ ka kryer hetime për Banjskën, por s’po i publikon gjetjet

10 janar 2024 | 13:06

Deputetja konservatore britanike, Alicia Kearns, gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Sekretarit të jashtëm britanik, David Cameron, ka thënë se një vend i ka hetimet për sulmin terrorist të Banjskës, por që nuk po i bën publik.

Ajo ka thënë se ky vend është anëtar i aleancës “Five Eyes” – një rrjet i inteligjencës i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore midis Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re.

“Unë e di që një vend tjetër – një vend i ‘Five Eyes’  ka me të vërtetë një hetim të tërë, por ata nuk janë të gatshëm t’i publikojnë ato rezultate. Kështu që, unë mendoj se në Mbretërinë e Bashkuar duhet të dalin me rezultate duke shpjeguar saktësisht se çfarë ndodhi atë ditë sepse Vuçiq ende thotë se ajo që ndodhi atë ditë, nuk ka ndodhur”, ka thënë ajo.

Deputetja ka tentuar të marrë një përgjigje nga kryediplomati britanik për konkluzionet e Londrës rreth Basnjskës, por Cameroni vetëm ka bërë një përshkrim të asaj çfarë ka ndodhur duke thënë se po të mos ishte Policia e Kosovës, grupi i Banjskës i armatosur rëndë ka mundur të sulmojë stacionet policore dhe të vendosë barrikada.

Kearnsi ka thënë se BE-ja dhe ShBA-ja duhet të dalin me përgjigje për Banjskën meqë kanë vendosur masa ndaj Kosovës.

Më tutje, ajo ka thënë NATO-ja i ka shpërfillur shqetësimet e saj vitin e kaluar kur deklaroi se armët po futeshin ilegalisht në Kosovë dhe po fshiheshin në kisha.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ka…