KEDS dorëzoi në gjykata 2,317 raste për vjedhje të rrymës, po i fiton 100 për qind të rasteve
Përgjatë vitit 2023, KEDS ka dorëzuar në gjykatat përkatëse të Republikës së Kosovës 2,317 lëndë kundër keqpërdorimit të energjisë elektrike. Të gjitha rastet e shqyrtuara deri tash janë fituar nga kompania. Ndërkaq, pjesa tjetër pritet të shqyrtohen këtë vit.
Përmes luftimit të fenomenit të keqpërdorimit të energjisë elektrike në forma ligjore, KEDS jo vetëm se po mbron infrastrukturën energjetike, por po shpreh edhe vendosmërinë dhe qëndrimin e kompanisë kundër praktikave të paligjshme që rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e rrjetit elektroenergjetik.
Keqpërdorimi i energjisë elektrike hyn në kuadër të “Vjedhjes së Shërbimeve”, i cili sipas nenit 314 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës konsiderohet vepër penale dhe, si i tillë, është i dënueshëm deri në tri vjet burg.
Përmes fushatës “Rryma t’kushton ma lirë”, KEDS vazhdimisht po informon opinionin e gjerë publik për pasojat që mund t’i ketë kushdo që e keqpërdor energjinë elektrike.
KEDS mbetet i përkushtuar të luftojë keqpërdorimin e energjisë elektrike, jo vetëm për të zvogëluar humbjet në rrjet, por edhe për të mbrojtur interesat e konsumatorëve të ndërgjegjshëm, sepse vjedhja e energjisë elektrike, ndër të tjera, cenon edhe sigurinë e të tjerëve dhe pronave përreth.
Si i tillë, KEDS po vazhdon me kontrolle të shumta në baza ditore në mbarë Kosovën. Përgjatë periudhës janar-dhjetor 2023, ekipet e kontrollit kanë realizuar gati 100,000 kontrolle te konsumatorët e dyshimtë për keqpërdorim të energjisë elektrike, prej të cilëve 6,710 janë identifikuar si keqpërdorues.