KEDS-i, investon 203 milionë euro në rrjetin elektrik-humbjet reduktohen në 40 për qind
Investimi në sistemin elektroenergjetik shpërndarës ka qenë dhe vazhdon të mbetet prioritet fondamental i KEDS-it, për të përfunduar tranzicionin e drejtë energjetik. Bashkë me të edhe reduktimi i humbjeve!
“Me investimet e bëra në rrjetin e shpërndarjes, digjitalizimin e deri te transformimi i linjave, KEDS-i ka kaluar nga rrjeti elektrik tradicional në një rrjet të digjitalizuar në masë të madhe. Intervenimi në rrjetin elektrik të shpërndarjes në Kosovë, prej vitit 2013 e deri më sot, jo vetëm se është treguar i suksesshëm në mobilizimin e tij, duke e optimizuar atë si një platformë digjitale, gjithnjë sipas standardeve më të reja teknologjike, por edhe është përkthyer në një mekanizëm i nevojshëm praktik e inovativ” thuhet në komunikatë të lëshuar nga KEDS-i.
Investimet kapitale të KEDS-it në rrjetin shpërndarës, në njehsorë elektrikë dhe kudo që ka qenë e nevojshme për të pasur një rrjet të qëndrueshëm, prej atëherë kanë arritur shumën prej 203 milionë eurove. Mbi të gjitha, investimet, në praktikë, kanë ndikuar edhe në reduktimin e humbjeve të energjisë për 40 për qind.
KEDS-i është i përkushtuar që humbjet t’i reduktojë edhe më, përmes kontrolleve dhe përmes investimeve të vazhdueshme në rrjetin shpërndarës, gjithnjë në të mirë të së ardhmes së industrisë sonë elektrike.