KEDS-i investon në komunën e Vushtrrisë mbi 500 mijë euro
Në kuadër të planit investiv njëvjeçar, KEDS-i po bën implementimin e projekteve kapitale nëpër lokalitete të shumta të Kosovës.
Një projekt i tillë në komunën e Vushtrrisë, tashmë është formësuar. Mu te nënkalimi i fshatit Nadakovc, i cili është në ndërtim e sipër, buzë-rrugës që çon kah fshatrat Sfarçak, Novolan, Samadregjë e deri në Ceceli e Sllakovc, i është shtuar një linjë komplet e re e rrjetit elektrik.
KEDS-i ka vendosur nja 400 shtylla të reja të betonit, bashkë me përçues elektrikë dhe gjashtë transformatorë të rinj, si dhe stabilimente të tjera të nevojshme elektroenergjetike, të cilat përshkojnë një gjatësi prej rreth 15 kilometrash.
Ky projekt, i njohur si Nadakovc dhe i përfunduar para pak kohësh, hyn në kuadër të një projekti kapital, kostoja e përgjithshme e të cilit është 550 mijë euro.
Aktualisht, aty po bëhet eliminimi i rrjetit të vjetër elektrik, i cili ishte instaluar para shumë kohësh dhe nëpër terrene shpeshherë vështirë të qasshme për mirëmbajtjen e tij.
Projekti Nadakovc është vetëm njëri nga 250 projektet që KEDS-i planifikon t’i implementojë gjithandej nëpër Kosovë përgjatë këtij viti.