KEDS-i këtë vit do të investojë afër 2 milionë euro në Podujevë

22 korrik 2020 | 15:19

KEDS po vazhdon të investojë me të madhe në Podujevë. Vetëm sivjet janë ndarë afër 2 milionë euro nga të cilat po realizohen 66 projekte, ku do të përfitojnë afër 10 mijë qytetarë. Në rrjetin e tensionit të ulët do të shtrihen mbi 200 mijë metra kabllo dhe do të zëvendësohen afër 900 shtylla të vjetra me shtylla të reja betoni. Kështu thuhet në komunikatën e KEDS-it.

“Përmes këtyre investimeve, Podujevës po i bëhet zgjidhje afatgjate në rrjetin e energjisë elektrike. Në këtë komunë, me anë të modernizimit të rrjetit konsumatorët do të marrin shërbime kualitative dhe të sigurta të energjisë elektrike. Krahas tyre, është duke u larguar tërësisht rreziku edhe nga shtyllat e vjetra, pasi që në disa lokacione rrjeti po vendoset nëntokë e në zona tjera ato janë duke u zëvendësuar komplet me shtylla të reja. Me këto investime, mjaft të kënaqur po shprehen edhe qytetarët e kësaj komune”, është thënë në komunikatë.

Gazmend Lepaja, pronar i një biznesi në sheshin e Podujevës, ka deklaruar se investimet që është duke i bërë KEDS, po i japin pamje të re qytetit të Podujevës. “Rrjeti elektrik për mbi 40 vite ka qenë i shëmtuar nga shtyllat e shtrembëruara të drurit të vendosura në çdo cep. Jemi shumë të kënaqur me punën që janë duke e bo. Në të kaluarën kemi pasur shumë probleme me furnizim të rrymës. Boll që nuk i shohë ma këto shtylla të vjetra që kanë ekzistuaar këtu për mbi 40 vjet”, u shpreh Lepaja.

Njëjtë sikurse ai, shprehet edhe Agim Hyseni, rreth të 50-ve. “Kurrë nuk ma kish marrë mendja që vjen dita mos me pas telashe me rrymë. Në Podujevë kemi pas problem me tension. Qysh ishe t’u punu veç kur ndalej rryma. Tash ma nuk po ndodh. U përmirësua shumë rryma në krahasim qysh ka qenë. Normal që edhe na jemi të kënaqur me këto investime që po bëhen”, shtoi Hyseni.

KEDS edhe gjatë viteve të kaluara ka investuar në shumë projekte në Podujevë. Madje, në vitin 2019 KEDS kishte realizuar investimin më të madh në historinë e elektrifikimit të Podujevës brenda një viti të vetëm, duke investuar rreth 6.5 milionë euro në rrjetin e tensionit të ulët dhe te mesëm, nga ku përfituan drejtpërdrejt shërbime më kualitative mbi 7,500 familje.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar…