KEDS-i më risi në rrjetin distributiv, ndërton linja 20 kilovoltëshe
Ndërtimi i linjave të reja 20 kilovoltëshe përmes rehabilitimit është proces që po e transformon rrjetin e distribucionit në të mirë të qytetarëve të Kosovës.
Ky nivel i tensionit po instalohet për herë të parë në Kosovë. Kjo po bëhet që të ketë më pak humbje në rrjet dhe më tepër siguri në furnizim me energji elektrike. Disa linja tashmë ose kanë përfunduar ose janë në përfundim e sipër.
Në gjatësinë disa kilometërshe nga Skenderaj e deri në Runik shtrihet largpërçuesi 20 kilovoltësh që do të furnizojë me energji elektrike një pjesë të konsiderueshme të fshatrave të Drenicës.
Ky largpërçues (LP) është në përfundim dhe paraqet risi në rrjetin elektrik të Kosovës, pasi më herët hallka e fundit e furnizimit të tensionit të lartë ishte 10 kilovoltëshe. Pra, linjat 20 kilovoltëshe ishin joekzistente, duke bërë që humbjet e energjisë të jenë më të mëdha.
KEDS0 ka vendosur mbi 600 shtylla, një trafostacion të ri, 12 trafostacione të rindërtuara dhe 19 të riparuara. Pra, është në proces të rinimit të rrjeti komplet të tensionit të lartë nga Skenderaj deri në Runik, ku përshihen direkt mbi 30 trafostacione.
Ky largpërçues është pjesë e projekteve të KEDS-it për rinim të tensionit të lartë dhe transformim të rrjetit 10 kilovoltësh në atë 20 kilovoltësh, përmes ndërtimit të linjave të reja apo rehabilitimit total dhe shndërrimit të atyre ekzistuese.
Nga ky projekt, që tashmë ka filluar parashihet të ulen humbjet, të rinovohet rrjeti dhe të përfitojnë jashtëzakonisht shumë edhe konsumatorët përmes shërbimeve shumë më të sigurta dhe më kualitative.
Përpos largpërçuesit të Runikut, KEDS-i ka ndërtuar edhe largpërçues 20 kilovoltësh në Drenicë që tashmë ka përfunduar, sikurse edhe në Lipjan, që është në përfundim dhe do të fillojë edhe në zonat tjera.
Intervenimet e para janë bërë pikërisht në linjat më problematike, të cilat binin shpesh si pasojë e faktorëve të jashtëm, sidomos atyre atmosferikë, pasi gjendja e tyre e trashëguar ishte e rëndë.
Të njëjtën kohë, edhe tensioni nuk ishte në nivelin më të mirë.
Ndërsa, pas përfundimit të punimeve në këto lokalitete, do të përfitojnë direkt mijëra konsumatorë.