KEDS-i ndërtoi nënstacionin e ri në Kaçanik, përfitues mbi 12 mijë qytetarë e biznese
Në daljen e parafundit të autostradës Prishtinë-Shkup, përkatësisht në Doganaj të Kaçanikut, kur merr drejtimin për Brezovicë shtrihet një objekt krejtësisht i ri, i veshur me një fasadë që rrezaton bardhësi në këtë dimër pa borë. Është ky nënstacioni Kaçaniku II 35/10 kV prej të cilit përfitojnë direkt mbi 12 mijë qytetarë e biznese të asaj ane.
Me lokacion vetëm disa metra nga fabrika e Silcaporit, një nga më të mëdhatë në vend, ky nënstacion jep një mesazh të qartë: Kosova po zhvillohet.
KEDS-i investoi fuqishëm aty në përgjigje të kërkesës në rritje për furnizim me energji elektrike të pjesës juglindore të vendit.
Ky nënstacion është realizuar me qëllim të përmirësimit të qëndrueshmërisë në furnizim, zvogëlimit ose eliminimit të mbingarkesave në rrjet, përmirësimit të rënieve të tensionit dhe mbështetjes ndaj rritjes së ngarkesës.
Që nga data 26 dhjetor 2023 nga daljet e këtij nënstacioni, Doganaj, Duraj, Kaçaniku i Vjetër dhe Dubravë-Kaçanik furnizohen më shumë se 3500 konsumatorë.
Nënstacioni i ri është duke përmirësuar ndjeshëm stabilitetin e rrjetit energjetik në Kaçanik. Duke rishpërndarë ngarkesën dhe duke optimizuar rrjedhën e fuqisë, janë eliminuar edhe mbingarkesat dhe rëniet e tensionit.
Nënstacioni i ri është projektuar duke lejuar zgjerimet e ardhshme dhe duke përshtatur kërkesat në rritje për energji të rajonit të Kaçanikut.
Projekti është realizuar brenda një periudhe shumë të shkurtër falë angazhimit maksimal të ekipeve tona dhe vendosmërisë së kompanisë që ky nënstacion të jetësohet sa më parë.
Investimet e tilla kapitale, si ky në Kaçanik, ndikojnë direkt në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës energjetike duke rezultuar me rritje të besueshmërisë së sistemit dhe furnizim të qëndrueshëm.
“Përfundimi me sukses i projektit të nënstacionit të tensionit të mesëm në Kaçanik është një dëshmi e përkushtimit të kompanisë sonë për të përmbushur nevojat në zhvillim të konsumatorëve tanë. Duke adresuar sfida të tilla si stabiliteti i rrjetit dhe rritja e ngarkesës, ne kemi përmirësuar ndjeshëm besueshmërinë dhe efikasitetin e sistemit të shpërndarjes së energjisë. Ky projekt është një nga 400 projektet investive që kompania filloi implementimin anekënd vendit duke ndikuar që rrjeti i shpërndarjes të kalojë në një nivel më të avancuar”, ka njoftuar KEDS-i.