KEDS-i: Pagesa e energjisë elektrike, e domosdoshme
Situata e fundit pandemike është duke e rrezikuar edhe funksionalitetin e KEDS-it dhe KESCO-s. Kjo, pasi kanë rënë në minimum pagesat e energjisë elektrike, duke e bërë të pamundur mbulimin e shpenzimeve, është thënë në njoftimin e KEDS-it.
“Në Kosovë ekziston një zinxhir i kompanive elektro-energjetike të cilat krijojnë kosto secila në bazë të shërbimeve që i ofrojnë. Në fund e tërë barra e shlyerjes së obligimeve bie ndaj KESCO-s, si hallka e fundit dhe KEDS si e parafundit. Barra më e madhe ka të bëjë me pagesat e energjisë elektrike të cilat i pranon KESCO për t’i furnizuar konsumatorët, të cilat kapin kosto multimilionëshe brenda muajit, energji kjo që pranohet si nga KEK, ashtu edhe nga prodhues tjerë”, ka njoftuar KEDS-i.
Sipas këtij njoftimi, energjia elektrike vendore shpeshherë nuk mjafton, duke detyruar kompaninë të importojë për t’i plotësuar nevojat e konsumatorëve.
“Pastaj kosto tjetër e shtuar është edhe ajo e transmisionit. Në fund janë operimet e vet kompanisë, duke e pasur parasysh mirëmbajtjen dhe investimet në rrjetin distributive, pagesat për rreth 2200 punëtorë e shpenzimet tjera operative”, është thënë në këtë njoftim.
Në këtë situatë, pagesa e energjisë elektrike është jetike për mbarëvajtjen e furnizimit, ka theksuar KEDS-i
“Apelojmë tek të gjithë konsumatorët që të paguajnë obligimet e tyre në mënyrë që të ruhet kontinuiteti i shërbimeve. Energjia elektrike është jetike në këto kohë të vështira që po kalon vendi dhe në përballimin e kësaj situate involvimi i të gjithë akterëve është i domosdoshëm. Në presim zgjidhje dhe mbështetje edhe nga Qeveria e Kosovës, pasi situata e pagesave është rënduar së tepërmi pas tendencës për shtyrje të pagesave në bazë të deklarimeve publike të bëra po nga qeveria”, ka njoftuar KEDS-i.