KEDS-i reagon lidhur me shtyllat në Livoç të Gjilanit
Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, KEDS, përmes një reagimi për medie është thellësisht e indinjuar me raportimin e medieve për lajmin “KEDS-i vendos shtylla pa lejen e pronarit, rrezikon fëmijët”.
“Joprofesionalizmi i skajshëm evidentohet qysh në nisje të storjes. Gazetarja (e RTV Dukagjini) e fillon storjen me informatën që ato shtylla janë vendosur para tetë vjetësh. Pra, shtyllat janë vendosur me 2010 dhe sipas vet gazetares ngjarja ka ndodhur tri vjet para se të themelohej KEDS-i, që nisi operimet në vitin 2013. Gjatë storjes ceket edhe padita e mërgimtarit. Edhe këtu vazhdon joprofesionalizmi. Dukagjini kujdeset që në asnjë rrethanë të mos raportojë kush është paditur, pasi do të zbulohej menjëherë që nuk bëhet fjalë për KEDS”, është thënë në reagimin e KEDS-it.
Sipas KEDS-it, shtyllat as sot nuk kanë të bëjnë asgjë me KEDS-in. “Ato janë shtylla të Tensionit të Lartë 110 kV, me të cilat menaxhon KOSTT-i. Joprofesionalizmi i RTV Dukagjinit shkon tutje. Në fillim dhe në fund të storjes paraqitet shenja e rrezikut e incizuar në shtyllë nga kamerat e televizionit në fjalë. Aty shihet qartë logoja e KOSTT-it. Është obligim i secilit medium që t’i verifikojë faktet para se t’i plasojë ato”, është thënë ndër të tjera në reagimin e KEDS-it.
/Epoka e re/