KEDS-i reagon në kohë të shpejtë dhe stabilizon gjendjen në rrjetin distribuiv
Me anë të një njoftimi për media, KEDS-i ka bërë me dije se ka angazhuar rreth 300 punëtorë me makineritë shtesë në terren për t’i rregulluar dëmet e mëdha që kanë shkaktuar një ditë më parë të reshurat, erërat dhe presionet atmosferike në rrjetin distributiv.
“Në afat të shkurtë kohor, gjendja tanimë është përmirësuar pothuajse në gjithë vendin. Sipas informatave të ekipeve në terren, falë përkushtimit dhe punës së pandërprerë deri në orët e vona të natës së kaluar dhe duke vazhduar edhe sot, në kushte jashtëzakonisht të rënda, ne një terren jo të përshtatshëm, KEDS-i ka arritur që të rregullojë pothuajse të gjitha prishjet”, është bërë me dije në njoftimin për media.
KEDS-i ka theksuar se varësisht nga niveli dhe lloji i prishjes, disa nga prishjet kanë marrë më shumë kohë për t’u rregulluar e disa janë rregulluar më shpejtë.
“Ne falënderojmë të gjithë punëtorët e KEDS që vazhdojnë te qëndrojnë në terren si dhe qytetarët e shumtë që kanë lajmëruar prishjet dhe kanë asistuar me qëllim të sanimit të gjendjes në afatin më të shkurtë të mundshëm kohor”, është thënë në njoftimin për media të KEDS-it.
/Epoka e re/