KEDS-i rehabiliton rrjetin elektrik në fshatin Qyshk të Pejës
Në fshatin Qyshk të Komunës së Pejës ekipet e KEDS-it kanë larguar rrjetin e vjetër elektrik nga oborri i shkollës “Skender Çeku” të Qyshkut.
Gjithashtu KEDS-i në këtë fshat ka riparuar edhe rrjetin e tensionit të ulët dhe ka vendosur edhe një trafostacion të ri.
“Me këtë investim banorët në këtë pjesë do të kenë furnizim më të mirë dhe më të sigurt me energji elektrike, gjithashtu edhe rreziku i kalimtarëve e posaçërisht i nxënësve brenda oborrit të shkollës është eliminuar. Në këtë projekt një kontribut dhe mbështetje të veçantë e ka dhënë edhe komuna e Pejës”, është thënë në komunikatën e KEDS-it.
Me këtë rast, edhe drejtoresha e SHFMU “Skender Çeku” në Qyshk, Hasime Gashi, ka falënderuar KEDS-in për punën e bërë.
“E kemi mirëpritur këtë veprim nga ana e KEDS-it për evitimin e rrezikut për nxënësit e shkollës tonë. Punëtorët e KEDS-it e kanë zhvilluar punën në mënyrë të shkëlqyeshme. Çdo herë kanë punuar në kohën kur nxënësit nuk kanë qenë prezentë që ata të mos jenë të rrezikuar dhe punën e kanë bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Falënderojmë KEDS-in dhe u jemi shumë mirënjohës për këtë”, ka deklaruar ajo.
/Epoka e re/