KEDS-i: Rreth 400 familje të Lipjanit me rrjet të ri energjetik
Me projektin e quajtur TS 8 Lipjani që ka implementuar KEDS-i janë rreth 400 familje kryesisht në pjesën jugore të qytetit të Lipjanit të cilët tash kanë një gjendje shumë të mirë energjetike.
Banorët e kësaj ane për çdo ditë kanë pasur probleme me rrymën.
Rrjeti energjetik ka qenë i stërngarkuar dhe shumë i vjetër. Pas këtij investimi tash gjithçka është rregulluar, tensioni është stabil dhe me parametra standarde.
Për implementimin e këtij projekti KEDS ka vendosur dy trafostacione, njëra me kapacitet 1000 kVA, që është rinovuar dhe është bërë krejtësisht e re dhe një tjetër me fuqi prej 630 kVA. Gjithashtu ka instaluar edhe 5000m kabllo nëntokësore për tensionin e ulët dhe 3200m kabllo nëntokësore për tensionin e mesëm dhe ka vendosur shtylla të reja të betonit dhe në disa vende vendosur edhe rrjet i ri ajror.
Për këto ndryshime energjetike me shumë emocione flasin vetë banorët.
Nasibe Bajrami, e komunitetit rom tregon për rrezikun që kanë pasur para investimit dhe tani falënderon KEDS-in për punën që kanë bërë.
“Ma shumë jena kanë pa rrymë se me rrymë. Shtyllën elektrike e kemi pas brena në oborr dhe shpesh telat na binin në tokë sidomos kur frynte era, dhe gjithë jena tut mos po ndodh ma e keqja. Tash KEDS e ka rregulluar dhe skena më rrezik. Falënderojmë shumë kompaninë për punën që ka bë”, ka thënë Bajrami.
Edhe bizneset e vogla që operojnë në këto anë shprehen të kënaqur me këto ndryshime.
Blerim Sylejmani, pronar i NPSH “ Blerimi” që merret me gdhendjen e hekurit, disqeve të veturave, etj, thotë se tani rryma është më e fortë dhe punën e kryejmë ma shpejt.
“Rryma ka qenë katastrofë, çdo 2-3 është dashur me u anku. Gjatë punës shpesh na u nalshin maqinat dhe puna nuk ecte. Tash është tepër mirë, rryma është e fortë dhe puna kryhet shpejt”, është shprehur Sylejmani.
Ky investim është edhe një zotim i KEDS-it për të përmbushur nevojat dhe obligimet energjetike të konsumatorëve në tërë Kosovën, sipas dinamikës dhe planit të paraparë.
/Epoka e re/