KEDS-i: Rritja tej mase e konsumit të rrymës ka shkaktuar një varg mbingarkesash në Kosovë
KEDS-i ka njoftuar se rritja tej mase e konsumit të energjisë elektrike ka shkaktuar një varg mbingarkesash në shumë pjesë të Kosovës. “Mbingarkesa, si e tillë, po shkakton telashe në disa zona kyçe. Si rrjedhojë, një pjesë e konsumatorëve janë duke u ballafaquar me sfidë të furnizimit me energji elektrike, pasi po rrezikohen asetet dhe po vjen deri te djegia e tyre që, si pasojë, konsumatorët po mbesin për një kohë pa energji elektrike deri në zëvendësimin e aseteve, ku në raste të caktuara përfshijnë kabllot e deri te transformatori.
Por, edhe në këto rrethana, po arrijmë t’i furnizojmë mbi 95 për qind të konsumatorëve në vazhdimësi, krejt kjo si rezultat i investimeve të vazhdueshme në rrjet”, ka njoftuar KEDS-i.
Sipas KEDS-it, konsumi që po arrin nivele rekorde historike deri në 1500MW/h, i cili, krahasuar me vitin 2013, kur KEDS-i kishte filluar së operuari, ishte rreth 1000MW/h, përveçse po përballohet në masë të madhe falë këtyre investimeve, po mbulohet komplet nga prodhimi vendor dhe importi, i cili po arrin deri në 500 megavatë në orë.
“Bashkëpunimi juaj është thelbësor në këto ditë. Apelojmë tek të gjithë konsumatorët që të bëjnë kursim maksimal të energjisë, posaçërisht të kujdesen për ngrohjen me rrymë, në mënyrë që të lehtësohet gjendja dhe rrjeti distributiv ta përballojë më lehtë”, ka njoftuar KEDS-i.