KEDS-i: Sektori i energjisë po kalon një nga sfidat më të mëdha që nga paslufta

28 dhjetor 2021 | 11:42

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, KEDS, ka njoftuar se sektori i energjisë në Kosovë është duke kaluar një nga sfidat më të mëdha që nga përfundimi i luftës.

KEDS-i ka theksuar se i kuptojnë edhe protestat që u mbajtën dje para ndërtesës.

“Është e drejtë e tyre dhe e respektojmë këtë. Këtë vit po përballemi me krizë globale të rritjes së çmimeve, rritjes enorme të konsumit dhe rënies së prodhimit. Këta faktorë prekin tërë sistemin elektro-energjetik, pjesë e të cilit janë edhe konsumatorët. Ne si kompani jemi të shqetësuar për këtë. Madje, për disa muaj me radhë e kemi bartur krizën në supet tona, pa u afektuar konsumatori aspak, deri sa i shterëm të gjitha resurset tona. Si kompani jemi në vitin e 9 të operimeve. Që nga fillimi i operimeve tona kemi hequr planin e reduktimeve të njohur si Kategorizimi ‘ABC’”, ka njoftuar KEDS.

Kjo kompani ka theksuar se “Vetëm kujtojeni se si ka qenë furnizimi me rrymë vitin e kaluar, krahasuar me këtë vit!? Ky është shembulli më i mirë se privatizimi ka qenë i suksesshëm dhe ne si kompani jemi krenar me atë që kemi arritur”.

KEDS ka bërë me dije se ka investuar gati 200 milionë euro në sistem, duke shtuar se operimi i tyre i përgjithshëm sot është shumë më efikas.

“Këto investime kanë rritur në mënyrë të prekshme kualitetin e shërbimeve për qytetarët e bizneset në të gjithë Kosovën. Kur e kujtojmë gjendjen që e trashëguam dhe pasi të merren në konsideratë të gjitha projektet e realizuara deri tani, atëherë privatizimi i KEDS-it, s’ka si quhet ndryshe, pos një storie suksesi. Edhe këto ditë kemi bërë çdo gjë që është e mundur që të kalohet sa më lehtë kjo situatë. Kemi dhënë rekomandime dhe mbesim të gatshëm që të luajmë rolin tonë në këto rrethana. Por, KEDS dhe KESCO janë vetëm njëri nga akterët në sektorin e energjisë”, thuhet në njoftimin për media.

KEDS-i ka shtuar tutje se sigurojnë të gjithë akterët tjerë relevantë se janë të gatshëm për bashkëpunim, ashtu siç kanë qenë që nga shtatori, kur filluan të ofrojnë rekomandime për autoritetet si të menaxhohet në mënyrë sa më efikase kjo krizë.

“Është koha që tërë energjinë ta përqendrojmë në tejkalimin e kësaj situate, në vepra konkrete, e jo për sulme që cenojnë kredibilitetin e kompanisë jashtë dhe brenda vendit dhe mohojnë të arriturat e kompanisë ndër vite”, ka njoftuar KEDS-i.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga RALI LURA “Gazeta e Alpeve”- gazetë Rajonale-Pan Shqiptare-Ndër Ballkanike…