KEDS-i: Si pasojë e mbingarkesës, janë djegur tre transformatorë në Prishtinë
KEDS-i ka njoftuar se përkundër angazhimit maksimal të ekipeve të tyre për të sanuar dëmet dhe për të rikthyer furnizimin me energji tek ata konsumatorë që po afektohen me ndërprerje të energjisë si pasojë e mbingarkesës, rrjeti elektrik nuk po arrin të përballojë konsumin e lartë në zona të caktuara.
“Vetëm në distriktin e Prishtinës, ekipet tona gjatë ditës së sotme janë detyruar të zëvendësojnë tre (3) transformatorë, njëri pas tjetrit, pasiqë kërkesa enorme nuk ka arritur të përballohet, përkundër ngritjes së kapacitetit në transformatorë. Njëjtë po ndodh edhe në distrikte tjera anekënd Kosovës”.
“KEDS është duke bërë përpjekje maksimale në terren mirëpo nevojitet bashkëpunimi i ngushtë i konsumatorëve përmes kursimit të energjisë, shfrytëzimit racional të saj dhe rikthimit gradual të pajisjeve shtëpiake në funksion pas rikthimit të energjisë, në mënyrë që të mundësohet funksionimi i mirëfilltë i sistemit elektro-energjetik”, ka njoftuar KEDS-i.