KEDS-i vendos tri trafo të reja në Stanovc të Vushtrrisë
Mbi 270 familje të Stanovcit të Vushtrrisë tashmë kanë shërbime shumë më kualitative me energji elektrike. Kjo, pasi KEDS-i ka ndërtuar tri trafo të reja për nevojat e banorëve të këtij fshati dhe ka ndërruar të gjitha shtyllat që kanë qenë me përçues të zhveshur, duke vendosur 250 shtylla të reja.
Gjithashtu, janë shtrirë rreth 13 kilometra rrjet elektrik në tensionin e ulët dhe të mesëm, kurse kyçjet shtëpiake janë me bërë me kabllo nëntokësore.
Kjo ka bërë që edhe banorët e këtij rajoni t’i ndjenë këto ndryshime, sidomos lagjja “Haradinaj” që ka 176 familje dhe lagjja “Haxhaj” me 97 sish.
Këto punime kanë rritur kapacitet energjetike dhe tani tensioni do të jetë stabil dhe banorët e kësaj ane më nuk do të kenë probleme me rrymë për vite të tëra, duke iu larguar edhe rreziku nga rrjeti i vjetër.
Për Liman Haxhaj, banor i kësaj lagjeje, ka qenë vetëm ëndërr largimi i shtyllave nga oborri. “Është fakt që po bëhet një punë e madhe. Po bëhet një mrekulli”, ka thënë ai.
Edhe konsumatori Haki Pronaj, nga lagjja “Haradinaj” ka pohuar se është shumë i kënaqur me këto ndryshime në fshatin e tij.
“Deri tash ka qenë tmerr. Sa herë frynte era u ndalke rryma. Tri herë na janë këputur telat dhe na kanë rënë mbi garazh. Tash është krejt në rregull”, ka thënë Pronaj.
KEDS-i vazhdon me investime në shumë vendbanime të Kosovës për të modernizuar rrjetin elektrik, që është një zotim i kompanisë për të zgjidhur problemet infrastrukturore në distribuimin energjisë elektrike.