KEDS-i, zë mbi 30 mijë raste të vjedhjeve të energjisë elektrike në tri vitet e fundit
Fenomeni i humbjeve të energjisë elektrike, që në praktikë klasifikohen si humbje teknike ose komerciale, është i barabartë me diferencën ndërmjet energjisë së prodhuar-blerë dhe energjisë së shitur-konsumuar.
Humbjet e energjisë elektrike në rrjetin tonë shpërndarës janë minimizuar dukshëm falë planifikimit dhe mbarështimit adekuat të linjave elektrike dhe ndërmarrjes së hapave përkatës për shënjimin e saktë të këtyre humbjeve.
Që kur është privatizuar KEDS-i në vitin 2013, duke parë rrethanat ekzistuese të rrezikut nga humbjet komerciale-keqpërdorimet, Departamenti i Humbjeve i KEDS-it ndërmori vazhdimisht aksione në identifikimin e keqpërdoruesve të energjisë elektrike. Falë përkushtimit të ekipeve të kontrollit të këtij departamenti, vetëm përgjatë periudhës 2019-2021 janë identifikuar mbi 30 mijë konsumatorë që janë kyçur ilegalisht në rrjetin e energjisë elektrike. Ndaj një numri të konsiderueshëm të këtyre konsumatorëve tashmë janë ngritur kallëzime penale.
Edhe në periudhën e gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë regjistruar 3281 raste të tilla. Megjithëkëtë, ekipet e kontrollit të KEDS-it kanë shtuar prezencën në terren me qëllim të zbutjes së mëtutjeshme të humbjeve, të cilat ekipe po i realizojnë këto kontrolle përmes përdorimit të pajisjeve të sofistikuara në dispozicion.
Kontrollet-të nevojshme për minimizimin sa më të shumtë të humbjeve në rrjet japin mesazh tek të gjithë konsumatorët keqpërdorues se vjedhja e energjisë elektrike është dukuri e papranueshme dhe e dënueshme me ligjet e Republikës së Kosovës.
KEDS-i mbetet i përkushtuar që të vazhdojë luftën ndaj vjedhjeve të energjisë elektrike dhe kërkon nga organet relevante dhe nga qytetarët të na bashkëngjiten në këtë betejë, meqë së bashku mund të fitohet shumë më lehtë dhe më shpejt, duke bërë që konsumatorët të marrin shërbime më kualitative, më të lira dhe më të sigurta.