KEDS-i investon në fshatin Serbicë e Ulët të Prizrenit
Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS) në kuadër të planit zhvillimor vazhdon të investojë edhe në Prizren.
KEDS-i investimet e fundit, është duke i realizuar në fshatin Serbicë e Ulët të Prizrenit.
Në këtë fshat është duke u investuar në infrastrukturë të re elektrike.
Në kuadër të projektit në fshatin Serbicë e Ulët të Prizrenit, është bërë rikonstruimi i rrjetit të tensionit të ulët dhe kyçjeve shtëpiake, si dhe është vendosur një transformator i ri.
Në këtë fshat, janë vendosur mbi 100 shtylla të reja, si dhe kabllo bistek. Ku kanë përfituar direkt 88 familje.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se kjo kompani është duke punuar në rritjen e kualitetit të jetës së njerëzve përmes projekteve, ku deri tash 500 projekte janë implementuar.
“Ne jemi të lumtur që po arrijmë përmes investimeve t’ua rrisim kualitetin e jetës njerëzve. Rast i njëjtë është edhe ky në Serbicë të Prizrenit. Deri tash kemi përfunduar 500 projekte. Ky është tregues që KEDS-i është krah konsumatorëve dhe qytetarëve, pra është një vlerë e shtuar e vendit”, ka thënë Buzhala.
Ndërsa, banorët e fshatit Serbicë e Ulët, shpresojnë se pas ndërrimit të rrjetit elektrik, do të përmirësohet furnizimi me energji elektrike.
Rexhep Gashi, banor i fshatit, ka thënë se gjendja me energji elektrike, në këtë fshat ka qenë shumë e keqe. Ai ka thënë se me këtë investim shpresojnë se gjendja do të përmirësohet.
Plani Zhvillimor i Rrjetit të Shpërndarjes është një master plan i KEDS-it parasheh investimin e 300 milionë eurove në rrjetin distributiv elektrik të Kosovës deri në vitin 2025.
/Epoka e re/