“KEDS Kids Academy” edukon fëmijët për elektrikë dhe robotikë

28 qershor 2018 | 11:18

“KEDS Kids Academy”, është organizimi më i ri nga KEDS-i në fushën e edukimit, i cili do të fillojë të hënën, më 2 korrik.

Përmes këtij programi, KEDS do të trajnojë 150 fëmijë të punëtorëve të KEDS të Distriktit të Prishtinës për elektrikë dhe robotikë.

Zyrtarët e kësaj kompanie, kanë thënë se trajnimi dy javorë do të jetë mundësi e mirë për orientimin e fëmijëve në të ardhmen, nëse ata duan të studiojnë për teknologji informative dhe robotikë.

Drejtoresha për Komunikime në KEDS, Naxhije Pajaziti-Arifaj, tha se në vazhdën e organizimit të projekteve të përgjegjësisë shoqërore koorporative, të cilat kanë të bëjnë me avancimin e tyre ne fushën e arsimimit, KEDS-i ka iniciuar projektin e ri “KEDS Kids Academy”, që është nën ombrellën e programit KEDS Academy, program që ka rezultuar shumë i suksesshëm dhe qe ka motivuar të vazhdojnë tutje në këtë drejtim.

“Mësimi do të fillojë më 2 korrik dhe do të mbahet në Qendrën e Trajnimit në zyrën qendrore të KEDS-it në Prishtinë, ku tashmë janë përgatitur klasët për mësim dhe po i presin fëmijët. Pas programit, fëmijët do të kenë një bazë të mirë dhe njohuri fillestare të mjaftueshme nëse dëshirojnë që në të ardhmen të orientohen në fushat e teknologjisë informative apo elektrikes”, tha ajo.

“Ky projekt është një program dy javorë edukimi, ku fëmijët prej moshës 7 deri në 10 vjeç do të mësojnë për elektrikë dhe robotikë. KEDS ka angazhuar një ndër kompanitë më me përvojë në vend për teknologji informative, kompaninë Cacttus, për të krijuar kurrikulën, si dhe për të mbajtur ligjëratat”, tha ajo.

Naxhije Pajaziti-Arifaj, ka treguar se në organizimin e parë “KEDS Kids Academy”, do të përfshihen fëmijët e punëtorëve të KEDS-it nga Distrikt i Prishtinës.
“Më vonë ky trajnim do të zgjerohet edhe për fëmijët e punëtorëve të rajoneve të tjera, me synim që të shndërrohet në një program falas për të gjithë fëmijët e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Organizimet e tilla edukativo-arsimore për fëmijët sipas saj, bëhen me qëllim të përgatitjes së tyre për të ardhmen.
“Duke parë që avancimi i teknologjisë po bëhet me hapa gjigantë dhe kur përdorimi i saj është gjithnjë e më i madh në të gjitha fushat e jetës, KEDS ka vendosur që të japë kontributin e vet, duke përgatitur fëmijët që herët për sfidat që i presin në jetën moderne. Fëmijët gjithmonë dëshirojnë të vizitojnë ambientin ku prindërit e tyre punojnë – kjo eksperience besoj do të jetë e paharrueshme për ta derisa ne në KEDS me prezencën e tyre do të kemi dy muaj ndryshe”, tha drejtoresha për Komunikime në KEDS, Naxhije Pajaziti-Arifaj.

“KEDS Kids Academy”, sipas saj, është edhe një mirënjohje dhe falënderim për punëtorët dhe stafin e KEDS-it për punën dhe përkushtimin e tyre.

Drejtoresha për Komunikime në KEDS, Naxhije Pajaziti-Arifaj, tha do t’i shohin mundësitë që “KEDS Kids Academy” në formë të tillë edukative të organizohet edhe në qytetet e tjera të Kosovës.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të mbajë…