KEDS-i: Mos blini njehsorë, ua japim falas
Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar të gjithë konsumatorët e vet se me rastin e lidhjeve të reja atyre u shpërndanë njehsorët elektrikë falas.
Sipas KEDS-it, asnjë konsumator nuk ka nevojë ta blejë atë dhe as ta montojë pasi këtë e bën KEDS-i.
“Instalimi i njehsorëve bëhet nga ekipet e specializuara të KEDS-it. Prandaj, KEDS-i apelon që t’i shmangni individët joprofesional dhe pa specializime përkatëse në vendosjen e tyre. Me Ligjin për Furnizim me Energji Elektrike, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, në këtë rast KEDS-i, është pronar dhe përgjegjës i aseteve deri tek pika përfundimtare matëse”, është thënë në njoftimin e KEDS-it.
KEDS-i ka theksuar se për t’u mos krijuar shpenzime të dyfishta, të gjithë konsumatorët që e kanë përfunduar ndonjë objekt banimi apo kanë filluar ndonjë aktivitet apo biznes, dhe u nevojitet lidhje e re, ata duhet të bëjnë kërkesë në KEDS për njehsorë.
“Kompania në kohën më të shkurtër të mundshme do t’i pajisë ata me njehsorë, të cilët janë pajtim të plotë me ligjet e shtetit të Kosovës dhe në përputhje me normat dhe standardet më të larta ndërkombëtare”, është thënë në njoftimin e KEDS-it.
Ky institucion ka njoftuar se në vazhdimësi ka bërë ngritjen e cilësisë së shërbimeve përmes investimeve të vazhdueshme në rrjet që nga nisja e operimeve, pesë vjet më parë.
“Nga këto shërbime kanë përfituar direkt dhjetëra mijë konsumatorë anekënd vendit. KEDS-i është duke i vazhduar investimet, madje edhe më fuqishëm, në mënyrë që rrjeti të ofrojë shërbime sa më kualitative dhe sa më të sigurta për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
/Epoka e re/