KEDS me linjë të re elektrike në fshatin Gradicë të Drenasit
Në kuadër të planit investiv të KEDS-it, në fshatin Gradicë të Drenasit së fundmi është implementuar një projekt kapital i instalimit të rrjetit komplet të ri.
Peizazhit të fshatit bukuri po i shton vendosja e afro 130 shtyllave elektrike të reja të betonit në të cilat janë shtrirë rreth 7,000 metra kabllo elektrike, në një gjatësi prej 7 kilometrash. Aty janë instaluar edhe dy transformatorë të rinj dhe mbi 60 ormana shpërndarës. Vlera totale e këtij projekti është afër 130 mijë euro.
Me realizimin e këtij projekti, gradicasit nuk do ta kenë më sfidë furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për dekada me radhë. Siç shpjegojnë bashkëfshatarët, ata kishin trashëguar një rrjet elektrik në gjendje të rëndë, porse, tash kur kanë një linjë komplet të re, shprehen mirënjohës ndaj KEDS-it.
“Unë vetë kam qenë disa herë iniciator dhe me mjete vetanake jam munduar të ndihmoj në përmirësimin e infrastrukturës së fshatit. E di se sa e rëndësishme është të investosh e t’ia përmirësosh kushtet e jetesës dikujt. Këtë gjë e ka bërë KEDS-i në fshatin tonë. Jemi të lumtur dhe i jemi mirënjohës kompanisë për këtë investim”, thotë Tahir Dervishi, banor i këtij fshati, i cili kishte ardhur për pushime në vend nga perëndimi.
Ky nuk është projekti i vetëm që po realizohet në komunën e Drenasit. Një projekt tjetër po implementohet edhe në Llapushnik, ndërkaq një sërë projektesh të tjera që ndodhen në fazën finale të implementimit po realizohen edhe në Komoran, në Poklek, në Vasilevë.
Sipas planit investiv për vitin 2024, KEDS planifikon të implementojë 250 projekte kapitale.