KEDS njoftim për shkyçje emergjente në Prishtinë
Mbrëmë në Prishtinë janë mbingarkuar transformatorët e KOSTT’it. Kjo solli ndërprerje të energjisë elektrike. Me qëllim që të evitohen këto mbingarkesa, pra të mos paraqiten më, KOSTT’i sot do të sigurojë një transformator shtesë. Pasi që nuk ka mundësi alternative, gjatë vendosjes së tij, jemi të detyruar të bëjmë shkyçje emergjente derisa KOSTT ta vendosë transformatorin dhe të bëjmë shpërndarjen e ngarkesave. Ky proces do të kryhet sot, nga ora 13:00- 16:00. Gjatë kësaj kohe, pa energji elektrike do të jenë një pjesë e konsumatorëve në anën lindore të Prishtinës, duke përfshirë lagjet Bregu i Diellit dhe Mati 1.
KEDS për këto lagje është në finalizim të dyfishimit të kapaciteteve distribitive, duke kaluar linjat nga 10 kV në 20 kV, duke e vendosur rrjetin nëntokë dhe duke krijuar linja alternative për konsumatorët. Rritja e sotme e kapaciteteve transmetive që menaxhohen nga KOSTT, nënkupton që shërbimet e energjisë elektrike janë në nivelin më të lartë.
Por, edhe qytetarët ftohen ta përdorin me kujdes dhe ta kursejnë maksimalisht energjinë elektrike, në mënyrë që ky sistem të funksionojë sa më mirë, sidomos në këtë kohë pandemike.