KEDS-i: Nuk e përcaktojmë ne çmimin e energjisë elektrike
Kompania KEDS ka reaguar lidhur me paralajmërimet për një protestë ndaj tyre për çmimin e energjisë elektrike.
“KEDS-i, si kompani që u nënshtrohet ligjeve të Republikës së Kosovës, ka për detyrim të zbatojë politikat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe nuk ka asnjë ndikim ose autoritet në përcaktimin e çmimeve të energjisë elektrike”, është thënë në njoftimin e KEDS-it.
Sipas këtij njoftimi, KEDS-i kurrë nuk është deklaruar se do të ketë ndonjë rritje të çmimit të energjisë elektrike, pasi as lirimi as ngritja këtij çmimi nuk vendoset nga kjo kompani.
“Jemi të habitur që njerëzit që po thirrin për protestë ende e drejtojnë këtë protestë gabimisht ndaj nesh, duke vënë kështu në pikëpyetje motivin e vërtetë të saj. Dëshirojmë ta informojmë publikun se KEDS-i është vetëm një nga akterët e zinxhirit të energjisë në Kosovë, me detyrimin dhe përgjegjësinë e qartë për shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike”, është thënë në këtë njoftim.