KEDS po implementon 67 projekte në Skenderaj përmes investimit të afro 6 milionë eurove
Investimet që nuk u realizuan për dekada me radhë në rrjetin elektrik të Skenderajt, sivjet po i realizon KEDS përmes 67 projekteve. Përmes tyre, po bëhet rikonstruimi i komplet rrjetit të tensionit të ultë dhe të mesëm.
Nga këto investime, të cilat kapin shifrën e afro 6 milion eurove, do të përfitojnë rreth 10 mijë konsumatorë, apo mbi 30 mijë qytetarë. Gjithsej 14 fshatra do të jenë përfituese të drejtpërdrejta të këtyre projekteve që do të realizohen gjatë këtij viti. Aty përfshihen fshatrat: Llaushë, Rrezallë, Turiqevc, Tushillë, Plluzhinë, Abri e Poshtme, Burojë, Rakinicë, Polac, Dashec, Baks, Cirez, Izbicë dhe Kladernicë.
Të njëjtën kohë, KEDS po investon edhe në linjat e Tensionit të Mesëm në këtë komunë, ku përfshihet numër i madh i konsumatorëve.
KEDS gjatë këtij viti ka realizuar takime të shumta institucionale me Komunën e Skenderajt, përfshirë këtu edhe takimin me kryetarin, Bekim Jashari, me të cilin kanë bashkërenduar projektet investive. Ato do të zhvillohen sipas planit dinamik dhe me punime intensive, të cilat do ta ndryshojnë për të mirë infrastrukturën energjetike të kësaj komune.
Investimet e KEDS, i ka mirëpritur edhe vet Kryetari Jashari, i cili ka theksuar nevojën për ndërhyrje në rrjet. “Përmes këtyre investimeve do të kemi një infrastrukturë më të mirë dhe shërbime më cilësore nga KEDS. Investimet e KEDS konform kërkesave tona do të vazhdojnë edhe vitin që vjen”, pati theksuar Jashari në takimin e realizuar me menaxhmentin e KEDS.
KEDS edhe në të kaluarën ka investuar fuqishëm në rrjetin elektrik të Skenderaj, duke bërë shtrirje të rrjetit të ri dhe vendosje të dhjetra trafostacioneve të reja, të cilat kanë ndikuar direkt në furnizim më kualitativ me energji elektrike për banorët e asaj ane.
Një nga linjat e para 20 kV ishte ndërtuar pikërisht në këtë komunë, ajo Skënderaj- Runik.
KEDS mbetet i përkushtuar që të vazhdojë edhe më tutje bashkëpunimet me Komunat duke mundësuar që rrjeti i vjetër elektrik të zëvendësohet me rrjet tërësisht të ri. Kështu, KEDS po jetëson synimin në përmbushjen e objektivave për realizimin e 300 milion eurove brenda 15 viteve.