KEDS shtrin 20 mijë metra kabllo të reja në Randobravë të Prizrenit
Randobrava, një fshat kodrinor-malor tashmë ka marrë një pamje krejt të re. KEDS ka investuar fuqishëm në rrjetin e ri elektrik në atë lokalitet. Përmes realizimit të këtij investimi kanë përfituar direkt rreth 3000 banorë të këtij fshati. Ata do të marrin tashmë shërbime më kualitative dhe më të sigurta.
Në kuadër të projektit tashmë të përfunduar, KEDS ka vendosur 4 trafo dhe ka shtrirë rreth 20,000 metra kabllo të tensionit të mesëm dhe të ulët dhe ka vendosur mbi 150 shtylla të reja të betonit.
Vlera totale e kostos për realizimin e këtij projekti është 200 mijë euro.
Banorët e fshatit u gëzohen këtyre ndryshimeve dhe i janë mirënjohës kompanisë, duke kujtuar problemet e shumta që kanë pasur me shtyllat dhe kabllot elektrike më parë. Rrjeti i vjetër ishte i trashëguar nga koha kur distribucioni ishte aset publik, por tashmë gjithçka ka ndryshuar. E reja ia ka zënë vendin të vjetrës.
Por ky nuk është investimi i vetëm i KED-it në Prizren. Rajoni i Prizrenit i ka ndjerë investimet e KEDS-it që nga fillimi i operimit të kompanisë. Investimet kanë prekur shumë fshatra dhe vetë qytetin e Prizrenit. Projektet i Bajram Currit, ai në Zhur, Korishë, Reçan, Jabllanicë, Pouskë e shumë projekte të tjera kanë përmirësuar dukshëm strukturën energjetike dhe ka rritur cilësinë e jetës për prizrenasit.
Anash nuk ka mbetur as qyteti i Prizrenit , ku KEDS ka shtrirë rrjetin nëntokësor në shumë pjesë të qytetit dhe aktualisht KEDS ka në proces rehabilitim e Sheshit të Shatërvanit , ku do të shtrihet rrjeti kabllor nëntokësor dhe sheshit do t’i shtohet bukuria për qytetarët e Prizrenit dhe vizitorët e shumtë.
KEDS po vazhdon me intervenime edhe në shumë vendbanime të Kosovës për të modernizuar rrjetin elektrik, që është zotim i kompanisë për të zgjidhur problemet infrastrukturore për shpërndarjen e energjisë elektrike.