KEDS zë disa biznese në Prishtinë duke e vjedhur energjinë elektrike gjatë një aksioni të madh me policinë

15 janar 2025 | 13:18

KEDS po bën aksione intensive në përcjellje edhe të Policisë së Kosovës kundër keqpërdorimeve të energjisë elektrike. Në aksionin e zhvilluar në Prishtinë, brenda një dite të vetme janë zënë 5 biznese duke e vjedhë rrymën.

Me intensifikimin e kontrolleve për keqpërdorimin e energjisë elektrike, është shtuar edhe numri i rasteve të kapjes së keqpërdoruesve të rrymës.

Në të gjitha rastet bëhej fjalë për anashkalim të njehsorit elektrik, që nënkupton se energjia elektrike që konsumohej nga këto biznese, vidhej. 

Pasoja e parë me të cilën do të ballafaqohen këto biznese është Rikthimi i Humbjeve të shkaktuara ndaj KEDS-it. Sipas rregulloreve në fuqi, për biznese përllogaritja e humbjeve të shkaktuara bëhet sipas fuqisë së pajisjeve që kanë qenë të lidhura në të zezën, në një afat prej një viti pune. Vitin e kaluar, për shembull, një biznes që është kapur duke e keqpërdorur energjinë elektrike, është detyruar t’ia rikthejë KEDS-it mbi 50 mijë euro në kuadër të llogaritjes së Rikthimit të Humbjeve.

Por, kjo nuk është e tëra! 

Keqpërdorimi i energjisë elektrike, përveçse i papranueshëm, është edhe i dënueshëm sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës. Tashmë pronarët e këtyre bizneseve do të ballafaqohen me një proces të pashmangshëm gjyqësor, ku do të mundë të dënohen me gjobë ose me burg deri në tri vjet. Sepse, vjedhja e energjisë elektrike, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, hyn në kuadër të Vjedhjes së Shërbimeve.

KEDS shfrytëzon rastin të informojë të gjithë konsumatorët-shtëpiakë e komercialë, se ka intensifikuar kontrollet për keqpërdorimin e energjisë elektrike, ditën e natën, anembanë Kosovës.

Kompania mbetet e përkushtuar të luftojë fenomenin e keqpërdorimit të energjisë elektrike, dhe vazhdon të ketë tolerancë ZERO ndaj të gjithë atyre që joshen të bëjnë një gjest të tillë të shëmtuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka bërë sot…