KEDS&KESCO vazhdojnë traditën për dhurimin e gjakut
Punonjësit e KEDS dhe KESCO sot kanë dhuruar gjak sipas traditës së përvitshme, duke u dalë në ndihmë të gjithë pacientëve që kanë nevojë emergjente për të. Meqenëse ky lëng trupor nuk mund të prodhohet në industri farmaceutike, i vetmi burim i tij është dhurimi në mënyrë vullnetare.
Grupet e ndryshme të gjakut dhe numri i madh i dhuruesve në KEDS&KESCO, po ndihmojnë sadopak Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut në Prishtinë, për të grumbulluar sasi të mjaftueshme të gjakut për një periudhë.
Njëri nga dhuruesit e gjakut sot, ishte edhe Drejtori Ekzekutiv i KEDS, z.Alpin Dogan, i cili tha se kompania që ai drejton do të jetë gjithmonë derë e hapur për aktivitete të tilla vullnetare.
“Jam i lumtur që ky aktivitet i përvitshëm, duke mos llogaritur dy vitet e fundit që për shkak të pandemisë është dashur të anulohet, po merr vazhdimisht vëmendjen nga kolegët tanë të kompanisë. Vullnetarizmi në secilën formë është gjithherë i mirë për komunitetin, por ky për dhurimin e gjakut mbetet më i veçanti, sepse po ndihmojmë dikë në nevojë, e për më tepër po shpëtojmë jetë”, tha ai.
Ndërkaq, Islam Gashi, zjarrfikës në KEDS, sot dhuroi gjak për herë të 45-të. Ai tha se për 23 vjet me radhë është dhurues i rregullt i gjakut.
“Sot është hera ime e 45-të që dhuroj gjak vullnetarisht, sepse unë dua të shpëtoj jetë dhe t’u ndihmoj atyre që kanë nevojë. Më vjen shumë mirë që edhe interesimi i kolegëve është shumë i madh që nga iniciativa e parë e KEDS-it, për ta realizuar këtë aktivitet”, u shpreh ai.
E Ganimete Avdiu, zyrtare për marketing në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut në Prishtinë, u shpreh falënderuese për punëtorët e KEDS&KESCO, që iu bashkuan aksionit të sotëm.
“Ashtu siç kemi organizuar çdo vit në KEDS&KESCO, edhe sot jemi bashkë me vullnetarët për dhurim të gjakut për t’ju dalë në ndihmë të gjithë pacientëve që kanë nevojë. Faleminderit të gjithë punonjësve të KEDS&KESCO, që gjithmonë përgjigjen pozitivisht në aksione të tilla. Gjithashtu, ftoj të gjithë dhuruesit vullnetmirë që gëzojnë shëndet të plotë, të na bashkohen në të gjitha qendrat për dhurimin e gjakut”, pohoi ajo.
KEDS vazhdimisht është afër komunitetit me aktivitete të ndryshme, prandaj sensibilizimi ynë me ata që kanë nevojë për gjak, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.