KEK-u dhe Telekomi nënshkruajnë kontratën kornizë për tri vitet e ardhshme

03 nëntor 2020 | 15:45

Ndërmarrja më e madhe publike në vend, Korporata Energjetike e Kosovës, sot ka nënshkruar kontratën kornizë (tri vjeçare) me operatorin me oferta joshëse në treg, Telekomin e Kosovës.

Afër 4000 punëtorë të KEK-ut, tri vitet e ardhshme do të kenë qasje në shërbimet më të reja të Vala-s dhe do të përfitojnë nga rrjeti i shpejtë i internetit, që kësaj korporate do t’ua lehtësojë në masë të madhe sistemin e operimeve ditore.

Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Luigj Imeri ka thënë se nënshkrimi i kontratës mes këtyre dy ndërmarrjeve paraqet vazhdimin e bashkëpunimit dhe mirëbesimit mes dy ndërmarrjeve publike të Kosovës. “Është e rëndësishme të thuhet se jemi shumë të kënaqur që KEK-u po vazhdon me shërbimet e VALA-s dhe kjo marrëveshje e sotme paraqet thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. KEK-u është korporata më e madhe në vend me numrin më të madh të punëtorëve, andaj nga sot KEK-u do të jetë pjesë e shfrytëzimit të shërbimeve të Vala-s për shkak të ofertës së saj më të favorshme”, u shpreh Imeri.

Nga ana tjetër, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina bëri të ditur se është tejet i entuziazmuar për nënshkrimin e kontratës me KEK-un, duke thelluar kështu edhe më tepër partneritetin reciprok. “Ndihem jashtëzakonisht mirë që një ndërmarrje e madhe me mijëra punëtorë, siç është KEK-u, në tri vitet e ardhshme do ti shfrytëzojë shërbimet e Vala-s, gjë që përbën një kënaqësi dhe obligim për ne që produktet dhe rrjetin tonë t’i pasurojmë dhe forcojmë edhe më tutje në dobi të të gjithë atyre që i besojnë operatorit publik, Vala. E falënderojmë menaxhmentin dhe punëtorët e KEK-ut që vazhdojnë të besojnë në shërbimet e Telekomit të Kosovës”, ka deklaruar Kiqina.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli sot ka…