KEK-u implementon shërbimet e fundit teknologjike të VALA-s
Telekomi i Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës kanë finalizuar të mërkurën edhe një tjetër kontratë të re komerciale.
Bëhet fjalë pikërisht për implementimin dhe automatizimin për herë të parë të ndërlidhjeve me fije optike të objekteve strategjike si termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” si dhe shumica e nënstacioneve energjetike të kësaj korporate.
“Të kesh një ndërmarrje të madhe siç është KEK-u që përveç faktit që ka përfshirë të gjithë punonjësit e vet në VALA kohë më parë, e tani i beson teknikisht edhe rrjetit tonë të shpejtë të internetit që i nevojitet për operimin e sistemeve operacionale të termocentraleve, tregon më së miri se Telekomi është garantues dhe mbështetës i shërbimeve të sigurta, të duhura dhe të avancuara për çdo konsumator individual dhe biznesor”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.
Thellimi i bashkëpunimit dhe nënshkrimi edhe i një kontrate tjetër mes këtyre dy ndërmarrjeve, është shembulli më i qartë i mirëbesimit të vazhdueshëm mes dy gjigantëve të ekonomisë së Kosovës.
“Duke i ditur specifikat dhe kompleksitetin e punës që bëhet në korporatën tonë, bashkëpunimi me VALA-n është po kaq i domosdoshëm dhe lehtësues në mbarëvajtjejtjen e punëve tona teknologjike, sidomos në mirëmbajtjen e sistemeve operative të termocentraleve tona”, ka thënë Njazi Thaqi, drejtori menaxhues i KEK-ut.
Kjo është marrëveshja e dytë radhazi e konktretizuar midis këtyre dy ndërmarrjeve më të mëdha publike në vend, pasi që muaj më parë rreth 5000 punëtorë të KEK-ut i janë bashkëngjitur VALA-s pas kalimit nga konkurrenca.
/Epoka e re/