KEK-u jep sqarime për atë që e quajtën “liqeni toksik”
Korporata Energjetike e Kosovës, pas raportimit nga televizioni T-7 rreth ujëgrumbulluesit të deponisë së hirit në Mirash, ka thënë raportimi se nuk është i saktë. KEK-u ka sqaruar se është një impiant industrial brenda hapësirave të KEK-ut, i cili është i izoluar nga ndërveprimet me mjedisin jashtë zonës së KEK-ut. Sipas KEK-ut, ky impiant industrial monitorohet në vazhdimësi për sa i përket gjendjes mjedisore dhe nuk ka asnjë evidencë të shkarkimit të ujerave nëntokësore apo në lumin Sitnica nga aty. Përndyshe, me qëllim të ngritjes së efikasitetit të përdorimit të lëndës së parë dhe zvogëlimit të ekspozimit mjedisorë, KEK-u ka filluar procedurat për kthimin e të gjithë sasisë së ujit nga ky ujëgrumbullues prapë në Termocentral.
“Si rezultat i këtij projekti, sasia e ujit në zonën e deponisë së hirit do të eliminohet në minimum. Ndërsa sa i përket gypit që është filmuar nga T-7 pa autorizim paraprak të KEK-ut (e që është rreptësisht e ndaluar) dhe pa qëndrimin e saj, ju njoftojmë se pranë ujëgrumbulluesit të ujërave industrialë gjendet një ujëgrumbullues tjetër me ujëra atmosferikë me kualitet të ujit në parametra normalë.
Prandaj, gypi i filmuar ku bëhet shkarkimi në lumin Sitnica nga ky ujëgrumbullues i ujërave atmosferikë i cili monitorohet rregullisht dhe raportet janë të disponueshme në çdo kohë për palët e interesit si Komuna, Ministria e Ambientit”, ka njoftuar KEK-u.
(B. D.: ‘Epoka e re’)