KEK-u ndan dy milionë euro për punëtorët e vet

31 mars 2020 | 11:15

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka marrë vendim t’i stimulojë me nga 300 euro për dy muajt e ardhshëm të gjithë punëtorët e vet. Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Njazi Thaçi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se kostoja e kësaj do të jetë dy milionë euro.“Që nga data 10 kur janë mbyllur shkollat ne kemi bërë një angazhim maksimal. Kemi vizituar gjithë punëtorët dhe angazhimi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm, ka qenë maksimal edhe në këtë situatë pandemie”, ka thënë ai. “Ata rrezikojnë shëndetin e tyre vetëm që qytetarët tanë të kenë energji elektrike e cila është jetike sidomos këtë situatë që po kalojmë. Duke marrë parasysh këtë se nuk po e dimë se sa do të zgjasë kjo pandemi, në mënyrë që t’i motivojmë punëtorët, bordi i drejtorëve të KEK-ut, me kërkesë të menxhamentit, ka marrë vendim që të gjithë punëtorët që kanë shërbyer këto ditë të shpërblehen me nga 300 euro. Ndoshta kjo është pak për mundin dhe sakrificën që janë duke bërë, por kushtet tona buxhetore janë kaq dhe ky është një stimulim që të kenë motiv që të punojnë edhe më shumë në të ardhmen. Përafërsisht, kostoja e këtij stimulimi do të jetë 1 milion euro në muaj”, ka thënë ai.

Shëndeti i tyre aktualisht është i mirë, thotë Thaçi, teksa u shpreh se nuk ka ndonjë informatë nëse ndonjëri nga punëtorët është i prekur me koronavirus. Që të evitohet kjo sëmundje, Thaçi ka thënë se kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë që ta sjellin një ekip që t’i kontrollojnë punëtorët e KEK-ut pasi, siç thotë ai, nuk kanë ndonjë mjet për analiza. “Aktualisht shëndeti i tyre është i mirë, nuk kemi ndonjë indikacion apo ndonjë informatë që dikush prej tyre është i prekur apo ka dyshime për simptoma. Realisht nuk kemi ndonjë mjet që i bëjmë analizat, përveçse i kemi disa termometra që i matim temperaturat që i bëjmë vetë. Por, kemi kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që, nëse ka mundësi, të na sjellë një ekip mjekësor që punëtorët kur hyjnë në punë ta masin temperaturën apo të tregojnë nëse kanë ndonjë simptomë”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kriza në rritje e shkaktuar nga COVID-19 kërcënon të godasë…