KEK-u njofton se nesër rikthehet ngrohja qendrore në Prishtinë

15 dhjetor 2021 | 11:15

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se nesër në mëngjes do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull për ngrohje qendrore në Prishtinë.

“Nesër në mëngjes, më 16.12.2021 , do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull për ngrohje qendrore”, është thënë në njoftimin e KEK-ut.

Të njëjtit kanë thënë se ndalja e furnizimit me avull të Termokosit ka ndodhur si shkak i një rrjedhje në kaldajën e njësisë B1.

Si pasojë e kësaj, KEK-u tha se janë detyruar që të ndalin njësinë e lartcekur në mesnatë.

“Ekipet e specializuara kanë filluar menjëherë përgatitjet për intervenim ne sanimin e gjendjes”, kanë thënë ata.

Ngrohtorja “Termokos” në Prishtinë  njoftoi më herët se për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u kanë ndërprerë furnizimin me ngrohje për konsumatorët.

Sipas tyre, të vetmit që janë duke u furnizuar me ngrohje janë pacientët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Aktualisht, me ngrohje janë duke u furnizuar vetëm klinikat e QKUK-së nëpërmes ngrohtores, që gjendet në hapësirat e kësaj qendre spitalore”, është thënë në njoftim.

Njoftimi i plotë i KEK-ut:

Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se aktualisht në TC-Kosova A kemi një gjendje stabile, ku në punë janë të tri njësitë aktive (A3, A4 dhe A5) që prodhojnë rreth 390 MW/h. Ndërsa në Kosovën B, deri në mesnatë sot ishte në punë njësia B1. Sido që të jetë, për shkak të një rrjedhje në kaldajën e njësisë B1, ishim të detyruar të ndalim edhe ketë në mesnatë.

Ekipet e specializuara kanë filluar menjëherë përgatitjet për intervenim në sanimin e gjendjes. Sipas planeve njësia B1 pritet të kthehet në prodhim nesër në mëngjes, më 16.12.2021 , kur edhe do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull për ngrohje qendrore.

Duke falënderuar palët e përfshira për mirëkuptim dhe bashkëpunim, KEK është duke bërë përpjekje maksimale për prodhim të qëndrueshëm me energji në kushtet aktuale të krizës sezonale dhe globale energjetike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje…